Ai është heroi i parë i Kosovës. Kur ai lindi, i ati e mbuloi djepin e tij me flamurin kuq e zi dhe sipas zakonit shtiu me breshëri në ajër. Ai vdiq në të njëjtën mënyrë… Ai është rezistenca epike, liria, simboli i luftës për atdhe. Ai është shumëçka për të madh e të vogël në Kosovë.
Adem Jashari ra dëshmor në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt (këtu e 23 vjet më parë) në një përballje të përgjakshme për tre ditë rresht me ushtrinë serbe.
LEXO EDHE:
Meta vlerëson Kostandin Kristoforidhin me titullin ‘Nderi i Kombit’:Thirrja e tij ‘zgjohuni shqiptarë’ jehon veçanërisht sot! Shqipëria në rrezik, ka nevojë për bijtë e saj
Ai humbi jetën bashkë me 56 anëtarë të familjes Jashari, përfshi gra, fëmijë dhe pleq. Shpëtoi vetëm mbesa e tij, Besarta, atë botë 10 vjeç
Eshtrat e tij bashkë me të familjes prehen po aty. Çdo vit përkujtimor ndizen pishtarë në secilën prej varreve. Ai është vendi “ku falen” politikane të gjithë ngjyrave dhe qëndrimeve nga e gjithë hapësira shqiptare.
Aty të gjithë bëhen një. Një pakt i heshtur që duhet respektuar deri në botën e përtejme. Sepse e tille ishte figura e tij dhe po ashtu edhe vdekja…
Deri 24 orë më parë, kur Ilir Meta hoqi një paralele me të.
“Po qe nevoja për të mbrojtur Shqipërinë”, tha Meta, “edhe fëmijët e mi le të shuhen si të Adem Jasharit”.
Askush deri me sot nuk kish hequr një paralele të tillë.
Sepse askush nuk ka historinë e Adem Jasharit. Ilir Meta nuk lindi si Adem Jashari, nuk u rrit i pushtuar e as nuk rroku armët për liri.
Ilir Meta është djali i një babai dhe një nëne të thjeshtë, skraparllinj, si shumë të tjerë. Ilir Meta nuk provoi as dhunën, as thundrën.
Ilir Meta, ndryshe nga Jashari, u shkollua dhe pat fatin të bëhej pjesë e lëvizjeve asfare të përgjakshme për pluralizmin e parë në vend.
Ilir Meta ka marrë gjithçka nga ky vend.
Një njeri me dy anë të medaljes, nën paranojën se mund të defaktorizohet, Meta bëri thirrjen e pazakontë dhe hoqi paralelen më të pamundur.
Askush në këtë vend nuk ka nevojë e nuk po i kërkon të sakrifikojë fëmijët e vet dhe për askënd. Përkundrazi, edhe fëmijët i tij, të arsimuar si pak kush në shkolla të shtrenjta jashtë vendit, i duhen Shqipërisë.
Nëse “dhimbja” e Ilir Metës është kaq e madhe për shtetin, demokracinë dhe vetë vendin, atëherë le të “dorëzohet” vetë ai i pari, pa armë e luftë. Të hapë rrugë si një prej protagonistëve kryesor (në mos më kryesori) këto 30 vjet të jetës politikë shqiptare për këtë derexhe politikë, mendësi e shtet që jemi sot.
Ilir Meta nuk ka nevojë as të flijohet e as të mbyllet në ndonjë “kullë” me armë në dorë bashkë me fëmijët e Monikën. Ndaj kujt?. Ndaj shqiptarëve të tjerë përballë tij që nuk e votojnë
Ai nuk është Adem Jashari i një jete tjetër, kohë tjetër, historie tjetër, ideali tjetër, sakrifice tjetër, simboli tjetër, rezistence tjetër, pra e gjithçkaje tjetër përballe një armiku të gjallë…
Ai sot është vetëm Ilir Meta…përballë vetes./ Gazeta Si