Përplasjet politike në Kosovë u tensionuan edhe më shumë gjatë kësaj jave. Nga Ministria e Brendshme, ushtruesi i detyrës së Ministrit në detyrë, Xhelal Sveçla akuzoi presidentin Thaçi se e kishte kontrabanduar deputetin Pacolli. Nga shtëpia e tij, presidenti Thaçi në stilin e një hip-hop artisti e ftoi Sveçlën që ta merrte Kurtin e t’i shkonte në shtëpi, derisa e quajti VV-në parti kriminale. Në ndërkohë, foli edhe Gjykata Kushtetuese.
Java nisi me bujën që e kishte shkaktuar deklarata e ish këshilltarit të kryeministrit, Shkëlzen Gashit, për luftën e UÇK-së. U tha se Qeveria Kurti kishte premtuar se nuk do të ulej me Serbinë pa kërkuar kjo e fundit falje për krime lufte, por në fund vetë Qeveria Kurti pranoi krimet e luftës të UÇK-së.
Menjëherë më pas, vëmendja e publikut u përqendrua te kërkesat e përsëritura të deputetit Behgjet Pacolli që të kthehej në vendlindje. Sipas tij, Qeveria nuk po i jepte leje që me avionin e tij të ulej në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Sipas Qeverisë, ai do t’i nënshtrohej rregullave të Karantinës në Konvikte.
Më pas, z.Pacolli mori leje nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe u vendos në banesën e tij atje. Dhe, një udhëtim i presidentit Thaçi drejt Shqipërisë bëri që të shpërthente gallata në formën më të gërditshme të saj.
Sveçla akuzoi Thaçin se ishte ulur në mënyër ilegale në ulësen e parë të veturës presidenciale, duke lënë dyshimin se Pacollin e kishte futur në ulëset e prapme, apo edhe në “gepek”. Sceçla tha se dyshohej që presidenti “e kishte kontrabanduar Pacollin.”
Për dy ditë nuk u kuptua vend-ndodhja e ish presidentit Pacolli, dhe kështu pyetja njëmilion dollarëshe u bë “Ku është Behgjet Pacolli?”
Kjo pytje mori përgjigjje nga vetë Pacolli që ndau fotografi nga banesa e tij në Shqipëri. Por, presidenti Thaçi e rëndoi më shumë situatën duke i prishur karakterin komik. Ai iu tha t’i shkonin “në shtëpi Sveçlës e Kurtit” dhe i quajti “grup i organizuar kriminal.”
Në ndërkohë, u mësua se Qeveria i kishte dhënë lejeqarkullim Aleksandër Jabllanoviqit, politikanit serb që dikur kërkonin me forcë të shkarkohej në protesta të dhunshme. Po ashtu, leje i ishte dhënë edhe një këngëtareje të quajtur Tanya. Argumenti se të gjithë ishim të barabartë nuk vlente.
Sidoqoftë, Pacolli u kthye në Kosovë por nuk u vendos në karantinën e konvikteve. Pyetja që do të duhej të shtrohej me forcë nga përkrahësit e VV-së nëse do të ishin konsistentë në bindjet e tyre do të duhej të ishte: “Pse Pacolli nuk u vendos në karantinën te konviktet?”
Në ndërkohë, të premten Gjykata Kushtetuese vendosi që ta pezullonte përkohësisht deri më 29 maj dekretimin që i bënte presidenti Thaçi, Avdullah Hotit për të formuar qeverinë e re. Kjo Gjykatë u mor kësaj here edhe me një sulm banditesk që i kishte bërë kryeministri Kurti duke i akuzuar pa asnjë provë për “anshmëri politike” e “joprofesionalizëm”. Kushtetuesja i quajti këto sulme si të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me frymën kushtetuese të vendit.
Po gjatë kësaj jave, LDK nënshkroi marrëveshjen për koalicion qeverisës me AAK-në dhe me Nismën Socialdemokrate./Periskopi