Ndërsa na ndajnë vetëm 4 ditë nga vendimi i Këshillit Europian për hapjen ose jo të procesit të negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në, sot zhvillohet takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së. Pas vendimit të Bundestagut gjerman i cili i hapi dritën Shqipërisë dhe Maqedoninsë së Veriut, tani përgjigja përfundimtare pritet nga Franca.
Presidenti Macron i cili është pro ngadalësimit të procesit të zgjerimit të BE-së, po bëhet pengesa kryesore për të dyja vendet për të hedhur këtë hap vendimtar në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Nuk ka pasur një deklaratë të prerë nga Macron, apo nga ministrat francezë që të pozicionohen kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por në mediat ndërkombëtare këto javë është folur për një skepticizëm të vazhdueshëm nga Parisi zyrtar.
Në pozicion pritës këto ditë të fundit kanë qëndruar Danimarka dhe Holanda, dy vende që më herët kanë dalë hapur kundër hapjes së negociatave.
Në rastin më pozitiv, për Holandën ka qenë një qëndrim ndarës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke hapur dritën jeshile për këta të fundit dhe “ngelur në klasë” Tiranën zyrtare.
Por insistimi i Gjermanisë dhe kancelares Merkel personalisht për një “Po” si për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut, ka bërë që këto dy vende të hezitojnë të japin veton dhe duket se deri në orën e fundit do të presin Francën.
Në varësi të vendit që do të marrë Macron, do të ketë në krahë edhe këto dy vende, të cilat paraprakisht janë për një “Jo”, por nëse Franca do të thoshte “Po”, edhe ato do t’i bashkoheshin këtij votimi pozitiv. Çështja do të trajtohet fillimisht në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, për të kaluar më pas në Këshillin Europian.