Auron Tare, hulumtues, figurë e njohur publike në fushën e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe publicistikës, ka treguar një episod nga lufta e Kosovës.
Tare ka qene pjesëtar i ekipit te Televizionit Britanik Channel Four në trazirat civile në Shqipëri me 1997 si dhe Luftërat e Kosovës dhe Maqedonisë 1998-1999.
Duke debatuar në emisionin Top Show mbi mënyrën si shtete serioze mbajnë arkiva të sakta për cdo kontribut, ai tha:
“Në vitin ‘98 -‘99 kur unë kam qenë me televizionin britanik në Kosovë ishte një personazh më afër UÇK-së, një gazetar me emrin Milazim a diçka e tillë (drejtuesi i emisionit e korrigjon: bëhet fjalë për Milaim Zeka, sot deputet në Kosovë) unë nuk e njihja në atë kohë, vinte dhe shiste kaseta me filmime që i merrte brenda në Kosovë. I shiste te ne, por morëm vesh që i shiste edhe ne vende të tjera, pra të njëjtën kasetë ia jepte edhe CNN dhe francezëve edhe të tjerëve dhe nxirrte para.
U mor vendim që nuk do ia merrnim më kasetat sepse ishte batakçi dhe e larguan dhe nuk paguanin më. Shumë vite më vonë unë bëra një emision tek Fevziu me këto ngjarjet e Kosovës ku kishte shumë materiale dhe mes tyre edhe nga kasetat e këtij tipit që i ishin blerë. Kam dëgjuar që dikur thoshte që unë i kam dhuruar për Kosovën, për UÇK-në… Ka një gjë që ne shqiptarët nuk mbajmë shënime. Unë mora në telefon në Londër ata që unë kam punuar atje dhe u them si është historia? Dhe ata kanë faturat, që ky zotëria u shiste kasetat. Pra bota është e kujdesshme, dhe ka fatura, dhe kur ka fatura është pak e vështirë të kesh interpretime të ndryshme. Dokumenti është dokument dhe profesorët e dinë shumë mirë që dokumentit nuk ke ku i shkon. Interpretime mund të bësh si të duash…”