Situata problematike me emigrantët në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës vijon prej ditësh, pasi nuk lejohen të kalojnë pa autorizimin përkatës nga ambasada. Kufiri është mbyllur si pjesë e masave për parandalimin e COVID-19, ndërsa riatdhesimi në këtë kohë do u lejohej vetëm emigrantëve që kishin leje. Ndërsa gjatë orëve të pasdites situata është tensionuar në pikën kufitare të Kapshticës, ku emigrantët nuk lejojnë kalimin e kamionëve të mallrave.
Në Kapshticë qëndrojnë ende 50 emigrantë që nuk lejohen që të futen në territorin tonë pasi nuk janë të pajisur me autorizimin përkatës nga konsullata për shkak të situatës nga koronavirusi. Ndërsa në Kakavijë 10 prej 33 shqiptarëve që e kaluan natën mbrëmë në tokën neutrale u ka sosur durimi duke kaluar ilegalisht kufirin për të hyrë në atdhe, por janë kapur nga patrulla e policisë dhe janë gjobitur, ndërsa u shoqëruan në banesë për të qëndruar në vetëkarnatinim për 14 ditë me detyrim.
Për shkak të temperaturave të ulëta ata u detyruan që të ndezin një zjarr për t’u ngrohur, pasi natën e kaluan jashtë. 6 emigrantë janë kthyer mbrapsht në vendin fqinj ku jetojnë dhe punojnë, ndërsa 7 të tjerë janë ende në pritje të hapjes së kufirit. Gjithsej në 24 orët e fundit u është lejuar hyrja në Shqipëri vetëm 10 personave që kishin leje.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:07
Rëndohet gjendja e 3 emigrantëve në Kapshticë
Tre emigrantë të bllokuar në Kapshticë, dy gra dhe një burrë kanë shfaqur probleme shëndetësore. Për këtë është nisur një ambulancë dhe një ekip mjekësor nga Bilishti për t’u ardhur në ndihmë dhe parë nga afër gjendjen shëndetësore të tyre.
Ora 19:34
Mes të ftohtit prej ditësh në Kapshticë, disa emigrantët ‘strehohen’ brenda makinës së prishur
Emigrantët e bllokuar në pikën kufitare të Kapshticës prej ditësh po qëndrojnë në tokë neutrale duke u përballur me të ftohtin dhe shiun. Disa prej tyre janë ‘strehuar’ në një makinë të prishur që ndodhej aty duke qëndruar brenda për të përballuar kushtet e vështira të motit.
Ora 19:34
‘Kam pa ngrënë dhe pa pirë, në të ftohtë prej 3 ditësh’, apeli i pensionistit nga Kapshtica
Pensionisti 67-vjeçar Petrit Shaqe, prej tre ditësh vijon të qëndrojë pa ngrënë, pa pirë dhe në të ftohtë në tokën neutrale në Kapshticë, pasi nuk ka autorizimin për të kaluar drejt territorit shqiptar.
“Kam ikur me 29 shkurt në Greqi te vajza se e kisha të sëmurë. Kam 3 ditë, që të premte që jam bllokuar këtu. Jam 67 vjeç, pensionist, me ilaçe e tension dhe nuk po qëndroj dot më. Është ftohtë, bie shi, jam pa ngrënë dhe pa pirë prej 3 ditësh. Nuk kam se çfarë të bëj, këto në kufirin shqiptar nuk më qasin”, shprehet për kamerën e Report TV pensionisti, i cili është nga Korça me banim në Tiranë.
Ora 18:58
Tensionohet situata në Kapshticë, emigrantët e bllokuar nuk lejojnë kalimin e kamionëve
Është tensionuar situata në pikën kufitare të Kapshticës, ku 50 emigrantët e bllokuar aty prej ditësh nuk kanë duruar më dhe kanë bllokuar kalimin e kamionëve, me shpresë se thirrjet e tyre për të hyrë në territorin shqiptar do të dëgjohen dhe do të lejohen të kalojnë.
Të moshuar, gra dhe fëmijë janë bllokuar në tokë neutrale në pamundësi për të kaluar pasi nuk zotërojnë një autorizim të tillë nga ambasada shqiptare në Greqi.
Ora 17:09
Meta apel emigrantëve të respektojnë kushte e emergjencës! Kërkesë qeverisë: Mos braktisni qytetarët
1585809260_Meta2.jpg
Situata e vështirë e krijuar me emigrantët në pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës ka bërë që Presidenti Meta t’i bëjë apel qytetarëve që të respektojnë kushtet e emergjencës të imponuara nga pandemia e koronavirusit, por ka kërkuar dhe nga autoritete përgjegjësisë që të gjejnë një zgjidhje për këtë situatë pasi është detyrim kushtetues që shteti të mos braktis qytetarët e vet.
“Jam shumë i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës. Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme. U bëj thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare e njëkohësisht kërkoj nga autoritetet tona përgjegjëse të respektojnë, jo vetëm kërkesat e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që shteti ka ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë. Edhe njëherë kërkoj nga të gjithë më shumë bashkëpunim e mirëkuptim, solidaritet e përgjegjësi mes qytetarëve dhe autoriteteve tona në dobi të interesit publik dhe sigurisë së jetës “, shkruan Meta./Shqiptarja.com