Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani i është përgjigjur presidentit, Ilir Meta i cili në një konferencë për mediat tha se të hënën do ta kallëzojë penalisht.
Meta e akuzon kreun e KED për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim titulli apo të detyrës shtetërore”, ndërsa ky i fundit u shpreh se këtë e ka mësuar nga mediat.
“Në media po mësoj se zoti President, ka vendosur apo po mendohet në fundjavë e deri të hënën, që të bëjë kallëzim penal ndaj meje. Së paku, vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo. Ndërsa unë, si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim”, u shpreh Dvorani.