Nga Rigels Seliman
Politikanë, diplomatë, zyrtarë, qytetarë dhe veteranë të UÇK nga gjithë trevat mbarë shqiptare kanë reaguar fort, sa i takon aktakuzës që zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar ndaj presidentit kosovar, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli. Aktakuza pretendon se ata dhe disa persona të tjerë dyshohen se janë përgjegjës për vrasjen e 100 vetëve gjatë luftës së Kosovës kundër okupatorit serb. Por një shënim dhe një mesazh të ndjerë ka ndarë edhe veterani i UÇK dhe një nga patriotët më të mëdhenj të diasporës shqiptare të Austrisë, Afrim Ajredini.
Ky i fundit teksa kujton vëllain e tij që ka kontribuar në çlirimin e Kosovës nga Serbia, deklaron për “Ekskluzive” se Lufta e UÇK- së ishte e drejtë dhe se për këtë thekson se bien dakord të gjithë, përveçse ata që sipas tij, nuk kanë vetëdije kombëtare. Për veteranin e UÇK, Afrim Ajredini, Kosova sot është e lirë dhe krenare, falë luftës dhe trimërisë së pashoq të mijëra e mijëra qytetarëve kosovarë që luftuan për atdheun.
Dhe për të treguar që ai dhe familja e tij ka kontribuar në UÇK, zoti Ajredini ka ndarë kujtime nga lufta, ndërkohë që kujton vëllain e tij të ndierë Mustaf Musa Ajredini me vargje prekëse. Mes të tjerash, Afrimi thekson se ai ndihet krenar që ka luftuar dhe se për të UÇK është epope dhe aset që ka hyrë në historinë kombëtare.
“Lufta e UÇK- së ishte e drejtë. Për këtë biem dakord të gjithë, vetëm ato që nuk kanë vetëdije kombëtare. Çlirimi i Kosovës është meritë e shumë brezave të popullit liridashës të Kosovës. Për t’u Çliruar ranë Dëshmorë bijtë dhe bijat më të mira të vendit tonë, por vepra e tyre do të jetojë dhe kujtohet me krenari përgjithmonë.
Ndërkohë unë po shkruaj edhe dy vargje për vëllain tim Mustaf Musa Ajredini, i cili ka qenë veteran i UÇK, kom 4 brigada 124, Gani Paqarzi. I dashur vëlla Mustaf Musa Ajredini 03. 07. 1953 ( 26 . 06.2002 ) sot po bëhen 15 vite që je ndarë nga ne. Po e shkruaj me dhimbje të madhe këtë përkujtim për ty. Nuk po mundem të gjej as edhe një fjalë të vetme për ta përshkruar mungesën dhe boshllëkun që ke lënë në zemrën time.
Sot më shumë se kurrë më parë po i kujtoj momentet dhe vitet e kaluar së bashku në UÇK, vite që për mua do të jenë të pa harruara. Do t’i kujtoj si vitet dhe çastet më të lumtura të jetës time. Çdo ditë je në mendjen time, çdo dite po jetoj me kujtimin për ty, pasi me ty kam vetëm kujtime të bukura e të lumtura. Për mua vëlla Mustaf mungesa juaj është shumë e vështirë, pasi ishim shumë të lidhur, ishim më shumë se vëllezër.
Çdo gjë bënim bashkë, kemi ngrënë, kemi fjete, pinim, kemi punuar shumë bashkë në shtëpinë tonë për organizimin e UÇK, e deri në fund ishim se bashku , pasi asgjë nuk na brengoste fare, pasi ishim pajtuar me fatin që kishim në UÇK dhe çdo herë i jepnim njeri-tjetrit moral. I dashur vëlla Mustaf, sot u bënë 5 vitet pa ty, por kujtimi, dashuria dhe momentet e kaluara se bashku kurrë nuk do t’i harroj.
Ishin ditët më të lavdishme të historisë kombëtare. Pusho i qetë në botën e përjetësisë vellau im i dashur e i pa harruar. I pa harruar do të jetë kujtimi për ty. Përgjithmonë do të jesh në mendjen dhe zemrën time, lavdi veprës tuaj Mustaf Musaj Ajredini”, deklaroi veterani i UÇK, Afrim Ajredini për “Ekskluzive”.