Fondi “BESA” është kthyer në qendër të vëmendjes ditët e fundit, pasi në të ka shpërthyer një skandal mashtrimi. Një grup punonjësish të fondit përfituan 3.7 milionë euro përmes një skeme të sofistikuar mashtrimi, por që sot janë pas hekurave. Gazeta po nis një cikël investigimesh mbi këtë fondacion, për të treguar se kush e solli? Ku i ka rrënjët dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi për të. Fondacioni “BESA” është krijuar fillimisht nga Fondacioni Soros.
SOROS mbërriti në vendin tonë që prej 1992 me qëllim ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe për të inkurajuar nismat sociale, nën drejtimin e miliardierit hungarezo-amerikan Geroge Soros, që ka shtrirë rrënjët me “programet” e tij kudo. Në fillim të vitit 1999 George Soros krijoi fondacionin “BESA”, i cili do të operonte si një entitet juridik, si organizatë joqeveritare, jo politike dhe jo fitimprurëse, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Fondacioni “BESA” filloi aktivitetin e tij në maj 1999 me V.K.M, Nr.207 datë 28.04.1999 kur projekti i Mikrokredisë Urbane (filluar që prej vitit 1994) u transferua tek Fondacioni “BESA” me themelues Fondacionin SOROS. Në kushtet e konsolidimit të aktivitetit të institucionit, Bordi i Fondit “BESA” dhe Themeluesi (OSF-A) në qershor 2008 vendosi të aprovojë planin e transformimit të Fondit “BESA” nga statusi aktual si OJQ në një status të ri ligjor si shoqëri aksionare në përputhje me legjislacionin shqiptar, ligji nr. 9901, datë 14.04.2008. Transformimi i Fondit “BESA” në një shoqëri aksionare bazohet në këto direktiva: Ky ndryshim është në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe rregulloret e Bankës së Shqipërisë për mbikëqyrjen e institucioneve mikrofinanciare. Argumenti ishte se ky status i ri ligjor do të prezantojë më mirë Fondin “BESA” në marrëdhëniet me donatorët dhe partnerët, të cilët kërkojnë të investojnë në sektorin mikrofinanciar në Shqipëri. Me statusin e ri ligjor, Fondi “BESA” përfitoi të drejtën të ofrojë produkte dhe shërbime të tjera që do të rezultojnë në rritjen e aktivitetit dhe pozicionit në tregun financiar shqiptar.
Dyshimet
Sipas aktit të themelimit të biznesit “Fondi BESA sh.a”. të regjistruar në Dhomën e Noterëve Tiranë dt. 10/07/2008, (Nr. 7665 Rep. dhe Nr. 1085 Kol.), rezulton se ky biznes është themeluar nga Fondacioni-Fondi BESA. Në bazë të ligjit nr. 8788, dt &/5/2001 për Organizatat Jofitimprurëse, neni 36, thuhet: “Organizata jofitimprurëse, për realizimin e qëllimit dhe objektit të veprimtarisë së saj, ka të drejtë të ushtrojë veprimtari ekonomike. Organizata jofitimprurëse mund të zhvillojë veprimtari ekonomike pa qenë nevoja që të krijojë një subjekt të veçantë për këtë qëllim, me kusht që kjo veprimtari të jetë në përputhje me qëllimet e organizatës jofitimprurëse, të jetë deklaruar si një nga burimet e të ardhurave dhe me kusht që kjo veprimtari të mos përbëjë qëllimin primar të veprimtarisë së organizatës. Nëse organizata jofitimprurëse, nëpërmjet ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, realizon fitime, ato duhet të përdoren për përmbushjen e qëllimeve të përcaktuara në statut dhe në aktin e themelimit”. Në këtë rast Fondacioni Jo-fitimprurës ka krijuar një biznes të vetin për qëllimet e veta, dhe Akti i Themelimit i regjistruar në QKR e vërteton këtë. Këtu nuk kemi asnjë transformim të Fondacionit-Fondi “BESA” në biznesin Fondi “BESA” sh.a. dhe kjo nuk mund të ndodhë kurrsesi jo në Shqipëri, por as në Somali sepse në asnjë rast nuk lejohet transformimi i një Organizate Jo-Fitimprurëse në një biznes fitimprurës. Ligji shqiptar lejon vetëm krijimin e aktiviteteve ekonomike ndihmëse nga OJF-të dhe këtë i ka njohur edhe QKR në 11/07/2008 në Tiranë biznesit Fondi “BESA sh.a”. Por gjithçka u lejua nga dy emra konkretë, nga ish-guvernatori Ardian Fullani, i cili lejoi të gjitha manovrat ligjore. Po ashtu në lojë ishte dhe ish-ministri i Financave, Ridvan Bode. Dhe ai lejoi përmes QKR që “BESA” të kalonte nga Fondacion në Fond. Por duket se tani i përlyer është dhe Guvernatori Sejko. Ashtu si Fullani, edhe ky duket se po mbyll sytë përballë këtij fondi. Edhe pse kemi mashtrime në nivele shumë të larta, BSH ende nuk është prononcuar dhe nuk ka marrë asnjë masë. /Kliti Topalli