Vendimi i Gjykatës së Lartë ku shpalli të pafajshëm Ilir Metën për bllokun 700 mijë eurosh tregon shumë të vërteta të hidhura për sistemin e drejtësisë. Përveçse tregon arsyen se përse u tentua largimi i Bujar Sheshit nga KLP, hedh dritë mbi gjendjen e kalbëzuar të gjykatave në vend. Sot gjykata që shfajësoi Metën është shkrirë dhe trupa gjyqësore është jashtë sistemit, pikërisht për shkak të korrupsionit endemik.
Por vendimi tregon dhe të vërtetën tjetër se si Meta e Berisha kanë kapur gjithë sistemin e drejtësisë në vend. Vetingu po largon një pjesë të madhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve të emëruar prej tyre dhe kjo është arsyeja se përse sulmohet procesi. Por gazeta po tregon sot se si që në vitin 2010 Meta kishte miqësi të forta në drejtësi, madje deri në Gjykatën e Lartë, gjykatë që i dha atij pafajësinë. Sipas videos, Meta i kërkoi ish-ministrit Dritan Prifti që të favorizojë një kompani të caktuar për koncesionin e HEC Egnatia-Shushicë. Por në atë kohë kjo kompani ishte në proces gjyqësor me Agjencinë e Trajtimit të Pronave.
ështja ishte mbyllur në Apel dhe do kalonte në Gjykatën e Lartë. Një gjë e tillë është thënë dhe në dëshminë e Dritan Priftit. “Zoti Meta më informon gjatë këtij takimi që në Apel çështja ka përfunduar, pra është fituar nga ky Bashkim, pra është fituar, prandaj mbaroje këtë punë menjëherë sot”, ka thënë Prifti në dëshminë e tij. Më saktë, duke qenë se kompania ishte në proces gjyqësor, nuk mund të kualifikohej për të fituar tenderin. Por nga hetimet e Prokurorisë rezulton se vetë Meta kishte dalë garant se do ndërhynte dhe në Gjykatën e Lartë që çështja të mbyllej sa më shpejt. “Gjithashtu, në këtë bisedë, edhe marrja përsipër prej të pandehurit për t’u interesuar deri në Gjykatën e Lartë për zgjidhjen e konfliktit gjyqësor të Shoqërisë… me Agjencinë e Prokurimit Publik, sipas dëshmisë së Dritan Priftit dhe që konfirmohet edhe nga video, është tregues i qartë për natyrën jo të ligjshme të ndërhyrjes së tij për të favorizuar, në kundërshtim me ligjin, këtë shoqëri në garën koncesionare. Kjo ndërhyrje tregon, gjithashtu, shkakun për të cilin dëshmitarit po i ofrohej ky përfitim i paligjshëm”, ka thënë prokurori Bujar Sheshi në hetimet e tij. Pra kjo dëshmon qartë se çfarë ndodh në sistemin gjyqësor dhe përse sot Gjykata e Lartë është shkrirë.
Debati për autenticitetin e videos
Të gjithë e mbajnë mend debatin që nisi pas publikimit të videos Meta-Prifti. Presidenti aktual fliste për montazhe nga “sekti i spiunëve”. Por prokurori Sheshi ka deklaruar të kundërtën.
Ai ka thënë gjatë procesit se nga tërësia e rrethanave të çështjes, të vërtetuara në rrugë gjyqësore, por dhe nga përmbajtja e aktit të ekspertimit teknik, rezultoi se regjistrimi audio-viziv i bisedës Meta-Prifti ishte origjinal dhe i patjetërsuar. “Ekspertët duke mos gjetur, në rrugë shkencore, asnjë detaj të fshirjes apo montimit të videos, u shprehen vetëm se: “Deformimet anormale të kurbës së sinjalit në pikat e mësipërme i çojnë në përfundimin se probabiliteti i ndërhyrjeve të mundshme rezulton të jetë shumë i madh”.
Në këtë përfundim, jo kategorik, por edhe as shkencor, këta ekspertë arritën vetëm për shkak se, sipas tyre, “në minutën 11.25 konstatohet në spektër gjurmë e ngjashme me një tik-tak (tepër) jo në harmoni me tik-tak–ët e tjerë”, në një kohë që siç deklaruan vetë para gjykatës në përgjigje të pyetjeve tona, “tik-taku i tepërt” mund të ishte edhe ndonjë zhurmë nga jashtë regjistruesit apo edhe ndonjë defekt i mekanizmit të orës që kamuflonte regjistruesin, duke pranuar kështu pasaktësinë e përfundimit të arritur prej tyre”, thuhet në argumentet e prokurorisë./Kliti Topalli