Pas fitores së mrekullueshme kundër Çekisë, Kosova qëndroi në vend të parë të grupit A për tre orë, por fitorja e 4-0 e anglezëve kundër bullgarëve i ka zbritur në vend të dytë dardanët, të cilët janë duke shijuar mrekullinë e plot dy viteve pa asnjë humbje.
Anglezët zhvilluan një lojë të sigurt kundër ekipit ballkanas, të udhëhequr nga Harry Kane, i cili e vendosi ekipin në avantazh me golin e parë në minutën e 24-t dhe siguroi epërsinë vetëm pak minuta pasi nisi pjesa e dytë, në minutën e 49-të, duke shënuar një gol me penallti pas një ndërhyrjeje të gabuar nga Bodurov.
Goli i tretë, i cili vulosi fitoren e anglezëve, u shënua nga Raheem Sterling në minutën e 55-të. Një tjetër penallti e dhënë nga gjyqtari në minutën e 72-të, e realizuar me sukses nga Kane, bëri që sulmuesi anglez ta mbyllë këtë ndeshje me një tre-golësh. /Top Channel