Në Sheshin Skënderbej prej katër ditësh janë mbledhur qindra fermerë të cilët po marrin pjesë në panairin më të madh bujqësor të zhvilluar në qendër të Tiranës.
“Shqipëria punon tokën”, konsiderohet si një ndër panairet më të mëdhenj të bujqësisë shqiptare, me qëllim që të tregohet se fermerët janë ata të cilët punojnë dhe lodhen gjithë vitin për të mbushur tryezat tona me ushqime cilësore.
Në këtë panair kanë marrë pjesë rreth 400 fermerë nga të gjitha trevat e Shqipërisë.
Por pavarësisht kësaj fermerët nuk kanë mundur të reklamojnë dhe më pas të shesin produktet e tyre, pasi nuk janë krijuar mundësitë për promovim.
Në fotot më poshtë të siguruara nga “Fjala.al” do të shihni se si ata janë të detyruar të qëndrojnë në errësirë duke mos shitur asgjë. E ndërsa i vetmi mjet që iu vjen në ndihmë për ndriçimin është drita e celularit.
Por si mund të konsiderohet ky një ndër panairet më të mëdhenj në vend?! Si mundet fermerët shqiptarë të promovojnë produktet e tyre që më pas të shiten?
Qëllimi i këtij panairi është t’i tregohet popullit se fermerët janë ata të cilët punojnë dhe lodhen gjithë vitin që këto produkte të jenë sa më shëndetësore.
Por pavarësisht qëllimit, lodhja e tyre nuk është justifikuar aspak./Fjala.al