Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të mos pranojë kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve ndaj gjyqtarëve që ndryshuan vendimin për Dritan Dajtin, nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg. Në seancën e zhvilluar mesditën e djeshme, GJKKO ka vendosur që të mos e pranojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) për pushimin e çështjes të gjyqtarëve që ndryshuan vendimin për autorin e masakrës së Durrësit.
Mësohet se ka qenë gjyqtarja Miljana Muça, ajo që i ka kërkuar SPAK që të rihetojë tre gjyqtarët e Apelit që “shpëtuan” Dajtin nga burgimi i përjetshëm, duke e dënuar më 25 vite burg. Për Skënder Daminin, Petrit Aliajn të dy gjyqtarë në Gjykatën e Apelit të Vlorës dhe Aleks Nikolla gjyqtar në Apelin e Shkodrës ka rinisur procedimi për veprën penale “Korrupsion aktiv i funksionarëve të drejtësisë dhe shpërdorim detyre”, pasi pranuan kërkesën për gjykim të shkurtuar nga mbrojtja. Pas një viti hetimi dhe zgjatje dy herë të hetimeve, prokuroria iu drejtua gjykatës për pushim. Kjo kërkesë e SPAK u rrëzua ndërsa pritet që Prokuroria e Posaçme të vendosë se çfarë veprimesh do të kryejë për këtë dosje.
Gjatë marrjes në pyetje, tre gjyqtarët kanë mohuar që të jenë përfshirë ne veprimtari kriminale. Ata kanë shtuar se vendimi është marrë në zbatim të ligjit dhe se nuk kanë marrë asnjë kërcënim. Hetimi ndaj gjyqtarëve nisi edhe pas kërkesës publike të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ndërsa për dy gjyqtarët nga trupa me 5 anëtarë që votuan për lënien në fuqi të dënimit, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha, nuk pati hetim.
Kërkesa e Prokurorisë
Ishte Prokuroria e Posaçme ajo e cila kërkoi pushimin e çështjes penale ndaj tre gjyqtarëve që pranuan gjykimin e shkruar për Dritan Dajtin. Vendim i cili e shpëtoi atë nga burgu i përjetshëm për vrasjen e katër policëve dhe dënimin me vendim të formës së prerë me 25 vite burgim. Në kërkesën që gazeta “SOT” disponon, prokurori Klodjan Braho kërkon pushimin e çështjes penale nr.30 viti 2019, të regjistruar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 319 dhe 319/ç të Kodit Penal. Po kështu prokurorët kërkojnë të asgjësohen përgjimet e bisedave dhe komunikimeve telefonike të kryera për tre gjyqtarët.
Ndërkohë sa i përket sendeve të sekuestruara, bazuar në nenin 190/1, gërma (b) dhe (ç) të Kodit të Procedurës Penale, prokurorët kërkojnë të disponohet shuma monetare prej 17.000 euro, qeset me mbishkrimin “Pal Zileri” t’i kthehen gjyqtarit Skënder Damini dhe djalit të tij Lisien Damini. Aparati i telefonit celular i markës iPhone X, t’i kthehet gjyqtarit Skënder Damini dhe shuma prej 1500 eurosh, një portofol si dhe aparati i telefonit celular i markës Nokia t’i kthehet shtetasit Petrit Aliaj; aparati i telefonit celular i markës Samsung S7, t’i kthehet shtetasit Aleks Nikolli. Në shkurt të vitit 2019, në atë kohë me urdhër të Gjykatës për Krimet e Rënda, policia ushtroi kontrolle në 5 banesa të 3 gjyqtarëve, të cilët pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, duke i hequr dënimin me burgim të përjetshëm.
Kërkesa për kontrollin e banesave është bërë nga Prokuroria që mbante emrin e Krimeve të Rënda, e cila vuri nën hetim për akuzën e korrupsionit tre gjyqtarët që pranuan gjykimin e shkurtuar për Dajtin, vendim i cili çoi dënimin me 25 vite burg të tij, i akuzuar për vrasjen e 4 policëve. Më 8 shkurt të vitit 2019 Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër policëve në Durrës gati 11 vjet më parë, u dënua me 25 vite burg nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, duke rrëzuar kështu Shkallën e Parë, e cila e dënoi me burgim të përjetshëm. Vendimi u dha nga një pesëshe gjyqtarësh nga Apeli i Vlorës dhe Shkodrës, ku kryesues ka qenë Fuat Vjerdha. Në këtë mënyrë u mbyll ndoshta gjyqi më i gjatë penal i zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Gjithçka nisi më 7 gusht të 2009, ku në një përplasje me armë mes policisë dhe Dajtit, në plazhin e Durrësit, u vranë katër policët Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollarri. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe vetë Dritan Dajti dhe u vra miku i tij Ledio Mara. Në Shkallën e Parë Dajtit nuk ju pranua gjykimi i shkurtuar dhe u dënua me 4 burgime të përjetshme. /Elvis MYRTA