Qeveria ka vendosur të hapë administratën për pranime nga jashtë shërbimit civil. Përmes një vendimi të miratuar dje, Këshilli i Ministrave ka vendosur të hapë 880 vende të lira pune në administratë, duke përcaktuar edhe pozicionet përkatëse. Sipas qeverisë, numri i vendeve vakante të planifikuara për tu hapur në administratë, gjatë vitit 2020, të jetë gjithsej 880.
Por këto vende vakante do të jenë ndara sipas disa kategorive. Sipas VKM-së, do të ketë përkatësisht katër kategori, së pari për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues, ku do të ketë 3 vende vakante. Kategoria e dytë është për kategorinë e mesme drejtuese, vende vakante janë shpallur 59. Ndërsa sa i takon se tretës është për kategorinë e ulët drejtuese, ku ka 150 vende vakante. Së fundmi, kategoria e katër, e cila është për kategorinë ekzekutive, ku ka 668 vende të hapura.
Grupet e administrimit
Kategoria e katër, ajo e ekzekutivit, e cila ka hapur 668 vende pune, ndahet edhe në grupe të administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm. Këto grupe ndahen në shkenca juridike, audit i brendshëm, në shkenca ekonomike, si edhe në shkenca ekonomike apo juridike. Grupe të tjera që përfshihen në këtë kategori janë, shkenca shoqërore, shkenca sociale, histori-filologji. Më pas kalon në disa grupime të tjera, që kanë të bëjnë më shumë në fushën mjekësore, ku konkretisht janë grupet për shkenca mjekësore, veterinari, agronomi, shkenca biologjike dhe të ngjashme me to si edhe kimi. Kategoria e katër ka një larmi grupesh në të cilat ndahet, ku padyshim ka edhe një sërë grupesh sa i takojnë pjesës mjedisore, ku kemi grupet si në vijim, shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme, shkenca inxhinierike, arkitekturë, arkeologji dhe restaurime. Disa grupime të tjera që përfshin kategoria ekzekutive janë, artet e bukura, gjeodezi, shkenca ekzakte, shkenca edukimi, mësuesi, arsim i lartë ushtarak dhe policor si edhe grupi arsim i lartë.
Nxitja e punësimit
Po dje qeveria ka miratuar dhe një vendim për nxitjen e punësimit. Përkatësisht janë tri programe për nxitjen e punësimit, i pari ka të bëjë me programin e punësimit, i dyti është program i formimit nëpërmjet punës dhe së treti qëndron program i praktikave profesionale. Programet, sipas pikës 1, të këtij vendimi, zbatohen në përputhje me nevojat individuale të punëkërkuesit për t’u integruar në tregun e punës dhe në planin individual të integruar për punësimin e tij. Sakaq ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit përcakton çdo vit prioritetet dhe miraton planin e zbatimit të fondeve të nxitjes së punësimit, sipas pikës 1, të këtij vendimi, pas propozimit nga drejtoria e përgjithshme e institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.
Ndërsa sa i takon kritereve të pranimit, punëkërkuesit me të drejtë përfitimi janë të gjithë punëkërkuesit e papunë të regjistruar dhe aktivë, për jo më pak se 3 muaj në zyrën e punës. Së dyti, një punëkërkues mund të marrë pjesë vetëm një herë në të njëjtin program brenda një periudhe pesëvjeçare. Një tjetër kriter është se punëdhënësit me të drejtë aplikimi duhet të plotësojnë disa kritere.