SHKRUAR NGA KLITI TOPALLI
Konfirmohen zërat se tryeza e dialogut mes PS dhe PD nuk është mirëpritur nga presidenti Ilir Meta. Gazeta e tha pak ditë më parë se presidenti dhe ish-kryeministri Berisha kanë dalë kundër tërheqjes nga aksioni opozitar dhe kjo gjë u pranua dje nga vetë kreu i shtetit. Gjatë një interviste televizive, Meta e tregoi hapur se është skeptik për këtë tryezë, ndërsa po ashtu dha sinjale se i trembet një pakti Rama-Basha si ai i 17 majit 2017.
“Le të shpresojmë se nuk do të ketë ndonjë surprizë rrugës! Por edhe sikur të vazhdojë në këtë mënyrë, është fare-fare pak, përveç se është tepër vonë dhe kërkohet një tryezë tjetër mendoj unë, shumë e thellë dhe më e përgjegjshme për të plotësuar të gjitha këto detyrime, të cilat janë tashmë të qarta në rezolutën e Bundestag-ut”, tha Meta.
Po ashtu ai deklaroi më tej se kjo tryezë nuk do të zgjidhë asgjë sa i takon situatës, duke dëshmuar qartë se nuk e mirëpret takimin e javës që lamë pas. “Nuk është se reforma do të zgjidhë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Ndoshta mund të ishte rruga më e thjeshtë për këtë dialogun që është vendosur. Por është mjaft vonë, dhe dëmet që i janë shkaktuar vendit janë shumë të mëdha. Në çdo rast besoj se duhet të ketë një angazhim më të besueshëm dhe më të thellë e më të sinqertë se sa diçka episodike”, tha ai.
Meta sulmon Bashën e Ramën
Ajo që i vë kapak tensioneve mes PD dhe Presidencës janë deklaratat e Metës kundër Bashës. Edhe dje Meta e sulmoi fort Bashën, duke e bërë përgjegjës për situatën aktuale, pasi sipas tij, djegia e mandateve dhe braktisja e zgjedhjeve ishte veprim shumë i gabuar.
“Opozita ka bërë disa veprime, në vlerësimin tim mjaft të gabuara, siç është dorëzimi i mandateve apo mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, pavarësisht se ka pasur të drejtë në kauzat e saj për ndëshkimin e autorëve të blerjes së votave, apo dosjeve zyrtare që flinin në prokurori prej 3-4 vitesh, si ato të Dibrës, të Durrësit, etj. Rruga që opozita zgjodhi nuk mendoj se i shërbeu vendit, ashtu sikurse edhe mazhoranca, me shumë dëshirë, e shtyu opozitën në atë rrugë, duke dëmtuar rëndë edhe vetë legjitimitetin e saj, edhe të institucioneve kryesore të vendit, përfshirë edhe Kuvendin”, tha ai.
Sulmeve të presidentit nuk u shpëtoi as kryeministri, duke treguar edhe një herë se nuk ka asnjë qetësim të marrëdhënieve. Meta e akuzoi Ramën se ka kapur të gjitha institucionet dhe se po shpopullon vendin. Po ashtu ai ka lëshuar akuza dhe për procedurat e shkarkimit. “Kjo është një lojë politike që tregon shqetësimin e madh që ka mazhoranca aktuale për qëndrimet mjaft të qarta, kushtetuese, parimore dhe transparente të Presidentit të Republikës. Në këtë drejtim kjo gjë mua më bën nder”, tha Meta.
“Thumba” ndaj SPAK
Meta e tregoi edhe një herë dje se reforma në drejtësi e shqetëson. Edhe pse pyetjes së gazetares nëse ka frikë ju përgjigj disa herë se është treguar korrekt me ligjin dhe nuk i druhet reformës, Meta është i pari politikan i lartë që ka goditur SPAK. PD dhe PS e kanë përshëndetur, por nuk ndodhi kështu nga Meta. Teksa dje nga njëra anë kreu i SPAK dhe kreu i KLP premtonin se do të hapin dosjet e bujshme, Meta ishte skeptik për këtë institucion.
“Është shumë për të ardhur keq, se në ditën që është bërë betimi i anëtarëve të SPAK-ut, të cilëve edhe unë u kam uruar suksese, madje ka qenë një ditë e mbushur me urime të jashtëzakonshme nga të gjithë, nga Partia Demokratike, nga Lëvizja Socialiste për Integrim, nga mazhoranca po e po, nga të gjitha ambasadat në Shqipëri, më ka bërë përshtypje po atë mbrëmje, një sondazh te kolegu juaj Blendi Fevziu te emisioni “Opinion”, ku pikërisht pyetjes, se cilat ishin pritshmëritë e shqiptarëve, a prisnin sukses apo jo nga kjo strukturë e krijuar dhe e pa atakuar publikisht nga askush, përgjigjja ishte: gati ¾ nuk kishin besim”, tha ai, duke u përgjigjur qartë me anë të sondazhit.
Më tej Meta deklaroi se kjo reformë është e kapur politikisht nga mazhoranca, duke shtuar në këtë mënyrë sulmet. “Unë mendoj se po të ishte një tjetër sondazh, “A po politizohet reforma në drejtësi?”, 86 % e shqiptarëve do shpreheshin se mendojnë që reforma në drejtësi po politizohet. Pse i përmenda këto aspekte? Sepse nuk është e rëndësishme vetëm se çfarë mendon Ilir Meta. Është shumë e rëndësishme se çfarë mendojnë qytetarët shqiptarë, që para tre katër vitesh kishin të tjera pritshmëri”, tha ai.