Samiti i Zagrebit tregoi edhe një herë se lufta ndaj korrupsionit dhe reforma në drejtësi janë shumë të rëndësishme për integrimin. Dy ditë më parë mbledhja e samitit është zhvilluar online për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, ku pandemia ka qenë në fokusin kryesor të diskutimit, duke zhvendosur zgjerimin në një plan të dytë.
Megjithatë, në samit liderët e Bashkimit Europian kanë ritheksuar edhe një herë faktin se mirëpresin Ballkanin në BE, ndërsa kanë vendosur një sërë kushtesh që duhen përmbushur nga Tirana zyrtare, përpara konferencës së parë ndërqeveritare. Ndërkohë, dje eurodeputetët kanë ngritur sërish shqetësim në Parlamentin Europian për 15 kushtet që duhet të përmbushë qeveria shqiptare. “Si po punoni me 15 kushtet e Këshillit Europian për Shqipërinë?”, ishte pyetja që eurodeputetët Kinga Gál dhe Michal Gahler nga Grupi PPE i drejtuan sot Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhely. Po kush janë disa nga detyrat e shtëpisë që duhen plotësuar nga Tirana zyrtare?
Kështu, një nga kushtet që Shqipëria duhet të miratojë është reforma elektorale në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si dhe të sigurojë një financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale. Po ashtu, Bashkimi Europian kërkon nga Tirana zyrtare që të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke siguruar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën e rëndësishme ndërkombëtare, që përfshin opinionet e Komisionit të Venecias. Sakaq, një tjetër detyrë shtëpie që duhet të plotësohet nga Tirana zyrtare përpara konferencës ndërqeveritare, është krijimin i strukturave të specializuara kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, sikundër janë SPAK dhe BKH.
Ndërkohë, sipas asaj që është vendosur në Samitin e Zagrebit, tjetër detyrë që duhet të plotësojë Shqipëria është çuarja përpara e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe nëpërmjet bashkëpunimit me vendet anëtare të BE. Po ashtu, Brukseli kërkon që Shqipëria t’i kundërvihet fenomenit të kërkesave të pabazuara për azil dhe të sigurojë riatdhesimin, si dhe të amendojë ligjin për mediat në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Shqipëria të dërgojë pas hekurave zyrtarët e lartë
Por plotësimi i kushteve nga Tirana zyrtare përpara konferencës së parë ndërqeveritare, është një lajm i mirë për shqiptarët dhe lajm i zi për pushtetarët, pasi do të ngushtohet laku për kastën e të korruptuarve. Kështu, teksa deri më tani kërkohej luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zbatimi i reformës në drejtësi dhe ngritja e organeve të reja të dalë prej saj, këtë herë kriter i vendosur është arrestimi i pushtetarëve të korruptuar. Më konkretisht, në draftin e përbashkët të dalë pas takimit të Zagrebit, kërkohet që brenda vitit të dërgohen pas hekurave të ngelurit në veting dhe zyrtarët e lartë të korruptuar.
Thënë ndryshe, Brukseli ka vënë si kusht, jo vetëm hetimin e të korruptuarave, por dënimin e tyre. “Kuadri i negociatave duhet të miratohet nga Këshilli dhe duket të pasqyrojë faktin që Shqipëria i ka zbatuar me sukses pesë prioritetet, të tilla si: nisjen e procedurave penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar gjatë procesit të vetingut për sjellje kriminale, nisjen e procedurave ndaj personave të akuzuar për blerje të votës, një goditje të dukshme të krimit të organizuar e korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë nisjen e procedurave dhe plotësimin e procedimeve të para ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë e politikanëve”, thuhet në dokument. Kjo do të thotë se pritet që brenda vitit priten arrestime dhe dënime pushtetarësh, pasi gjatë konferencës së parë ndërqeveritare pritet që të bëhet një analizë e hollësishme se sa janë plotësuar kushtet e vendosura nga Shqipëria. Pra, SPAK dhe BKH janë të “dënuara” që brenda këtij viti të bëjnë arrestime dhe dënime pushtetarësh.