E di që shumë shqiptarë janë mërzitur nga karantina, nga izolimi dhe mungesa e lirisë për të lëvizur. Por ata po e marrin veten shumë shpejt. Problemi im është i ndryshëm nga problemi që kanë shumica e shqiptarëve. Unë kam problem se në Shqipëri që kur jam lidhur me Zenin jam në karantinë.
Ne nuk dalim dot si çift vetëm në rrugë, pasi na duhen dhe katër badigardët e Zenit nga pas.
Nuk udhëtojmë dot vetëm në një veturë si gjithë të rinjtë e dashuruar, pasi duhet të kemi një makinë para një makinë pas. Këtë apartamentin që kemi tek Liqeni nuk e përdorim dot për intimitet se kemi katër roje, një në bodrum, dy tek kati dhe një në ballkon.
Në një farë mënyre ne jemi të dënuar të jemi në karantinë gjithë jetën.
Ndaj mërzia ime nuk lidhet me Edi Ramën por me liderët evropianë. Kur të hapin ata kufijtë, atëhere përfundon karantina ime. Çdo natë përgjoj lajmet nga Austria dhe Franca. Kur të hapen ato mbaron karantina ime.
Siç ka thënë dhe Merlin Monro, femra ekziston vetëm kur shfaqet në rrugë dhe shikohet nga të tjerët.
Unë këtu brenda jam e vdekur. Tani ua kam zili shumë shqiptarëve që shetisin në rrugë, apo këta që shetisin në zonat e gjelbërta.
Ne dhe kur takojmë Qim Pekën që i japim lekët për televizionin, shkojmë të maskuar.
Dhe jam shumë e çuditur për këtë. I them Zenit gjithmonë:
-Mirë Qim Peka se ka hasëm se i ka vdekur dashnorja në makinë, po ti e ke dashnoren gjallë.
Ai nuk kthen përgjigje, por e kuptoj se më fsheh diçka.
Kjo ma bën karantinën më të lodhshme, deri ditën kur Austria të thotë lejohen pasagjerët nga Shqipëria. Aty fillon liria ime.
Pasi siç ka thënë Merlin Monro, femra realizohet kur ndjehet në qiell të shtatë. Dhe mua vetëm avioni më çon në qiell të shtatë./Tema