Mirel Mërtiri, i cili u përfol nga disa media shqiptare dhe nga Partia Demokratike si i përfshirë në skandalin me një tender për COVID në Zimbabve, thotë se nuk ka asnjë lidhje me kontrata të dyshimta për të cilat në shtetin afrikan u arrestua dhe lirua me garanci pasurore 50 mijë dollarë dhe ministri i Shëndetësisë atje.
Autoritetet afrikane – siç citon një portal atje – shpallën në kërkim biznesmenin shqiptar Ilir Dedja, dhe në mediat shqiptare u përfol se Dedja në fakt ka disa emra, ndër të cilat edhe Mirel Mërtiri.
Në reagimin e parë për mediat, Mirel Mërtiri thotë se nuk është ai Ilir Dedja. Por në sqarimin e tij publik lihet të kuptohet se fotoja që mediat në Zimbabve publikuan gjatë një takimi me presidentin e Zimbabve duke thënë se është Ilir Dedja, në fakt i korrespondon vetë Mirel Mërtirit. Burime pranë zotit Mërtiri thanë për Report Tv se fotoja në fjalë ku ai është në prani edhe të ish-deputetit të PD-së, Gert Bogdani, është e vjetër, ndërkohë që takimi, sipas këtyre burimeve, ka qenë zyrtar, por për një çështje tjetër, pa asnjë lidhje me tenderin 60 milion dollar me procedura të dyshimta për situatën emergjente të COVID-19.
“Duke marrë shkas nga shumë publikime të bëra së fundmi në portale, media të shkruara dhe vizive, lidhur me emrin tim, unë Mirel Mertiri i datëlindjes 08/08/1978 deklaroj në përgjegjësinë time të plotë, se të gjitha spekulimet lidhur me implikimin tim në kontratën e përfolur në Zimbabve mes kompanisë Zviceriane Drax Consult Sagl dhe Natpharm janë të pavërteta.
Fotografitë e mia të publikuara gjerësisht në media, nuk kanë asnjë lidhje me kontratën në fjalë, por është përdorur qëllimisht për të krijuar skandal dhe dëmtuar reputacionin tim. Unë nuk jam Ilir Dedja. Ditën e sotme kam ngritur Padi Penale për disa nga mediat të cilat kanë cenuar me dashakeqësi dinjitetin dhe integritetin tim me publikimet e tyre krejtësisht të pabaza”, thuhet në reagimin e Mirel Mërtirit.
Fotoja e publikuar nga ‘Zimlive’ ku me rreth të kuq thuhej se ishte Ilir Dedja, por që Mirel Mërtiri thotë se është foto e tij e keqpërdorur me një lajm që ai mohon të ketë lidhje
Ilir Dedja nga një fshat i Belshit, tashmë në kërkim ndërkombëtar, për të cilin po flasin mediat afrikane, është një personazh i lidhur me koncesione në Shqipëri, që po hetohet për pastrim parash, në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të Zimbabve. Ilir Dedja, siç shkruajnë mediat e huaja, përmes dy kompanive të regjistruara në Zvicër dhe Dubai, Drax Consult SAGL dhe 3-DD Swiss Trading, ka lidhur dy kontrata me qeverinë e Zimbabve për blerjen e materialeve anti-Covid, me vlerë 20 milionë USD dhe 40 milionë USD.
Sipas medias ‘Zimlive”, Ilir Dedja u ka paraqitur fatura të fryra dhe çmime jashtë realitetit për furnizimin e me materiale anti-covid-19, ndërsa kompaninë e tij e quajnë të afërt me një nga djemtë e Presidentit të Zumbabve.
Fotoja që mediat afrikane publikuan ishte në zyrën e presidentit të Zimbabve, por ajo që ngatërronin ishte protagonisti kryesor, Ilir Dedja. Personi në fjalë, siç Mërtiri shprehet në reagimin publik, është vetë Mirel Mërtiri dhe jo Dedja. Të tjerë personazh në foto janë Gerti Bogani, vetë presidenti i Zimbabve Emmerson Mnangagva, ndërmjetësi Dalish Nguvaja dhe guvernatori i Bankës Rezervë të Zimbabve John Mangudya. /Shqiptarja.com