Nuk ka asnjë vonesë me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas publikimit të rreth 650 kandidatëve, dje ka nisur procesi i testimit për 424 emrat e kualifikuar.
Dje në Pallatin e Kongreseve u mbajt testimi logjik për të gjithë ata që shfaqën interes dhe që kanë plotësuar kushtet ligjore. Procesi u nda në dy faza për shkak të pandemisë. Gjatë paradites hyrën në testim 200 emrat e parë, ndërsa pasdite 200 emrat e dytë.
Sa i takon fazës së parë u bë me dije se e kaluan me sukses testin 192 emra, ndërsa pak a shumë i njëjti numër ishte dhe në fazën e dytë. Detajet i dha shefja e BKH, Aida Hajnaj, e cila foli për “TCH”. “U përzgjodhën rreth 400 kandidatë që kalojnë në fazën tjetër dhe rreth 23 kandidatë nuk kanë kaluar në fazën tjetër”, tha ajo.
Kryetarja e FBI shqiptare deklaroi se në dhjetor mbyllet përzgjedhja e 60 hetuesve dhe në janar BKH nis punën. “Janë disa faza që duhet të kalojnë deri sa të arrijmë në fazën që të marrim 60 hetuesit dhe mendojmë se deri nga fundi i dhjetorit duhet të jenë të përfunduara të gjithë fazat që duhet të kalojnë.
Me parashikime, ne mendojmë dhe duam që në janar të fillojë puna e BKH”, u shpreh Hajnaj. Kandidatët dhe aplikantët i pret një garë akoma më e rëndësishme siç është testi fizik, që pritet të mbahet në javën në vazhdim. “Përqindja më e madhe e kandidatëve janë nga jeta civile ku ka dhe juristë dhe ekonomistë dhe informaticienë sepse të tilla karaktere kërkonte vetë ligji për të qenë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Pjesa e punonjësve të policisë është shumë e ulët në krahasim me pjesën civile. Tre elementet që duhet të përfaqësojnë hetuesit e BKH janë: trimëri, integritet dhe besnikëri”, tha Hajnaj. Pas hartimit të listës finale me emrat që kaluan testin logjik, do vijohet te faza e tretë, ajo e testit fizik, i cili do të përmbajë: muskuj barku; vrap sprint 300 metra; pompa toke; 2400 metra kros.
Kush kalon këtë fazë do të shkohet te testi final ai i poligrafit. Secili kandidat do të pyetet nëse ka lidhje të fshehta me agjenci të tjera ligjzbatuese, u shërben shërbimeve të huaja, ka lidhje me grupe kriminale, me politikanë etj. Të gjithë ata që do e kalojnë testin do të kalojnë në fazën finale. Më pas do të jetë në dorë të komisionit që mes emrave të zgjedhë 60 më të mirët, të cilët do të kenë në dorë luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Detajet e ligjit
Në nenin 37 të ligjit përcaktohen detajet se si do të verohet me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. “Hetuesi është punonjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili është përgjegjës për hetimin. Ai gëzon statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore dhe kryen hetime vetëm nën
drejtimin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Kandidati për hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit përzgjidhet pas një procesi rekrutimi, që mbështetet në praktikat më të mira të rekrutimeve konkurruese, të cilat parashikohen në një rregullore të hartuar dhe miratuar nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Një kandidat mund të emërohet si hetues vetëm pasi të ketë përfunduar trajnimin përkatës dhe të ketë shfaqur aftësitë, që garantojnë kryerjen e detyrave sipas standardeve të kërkuara profesionale”, thuhet në ligj. Sipas tij, emërimi i hetuesit në Byronë Kombëtare të Hetimit bëhet nga drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Hetuesi caktohet nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit ose Drejtuesi i
Prokurorisë së Posaçme që të punojë me një prokuror të Prokurorisë së Posaçme. Hetuesi nuk
mund të caktohet në një detyrë tjetër pa pëlqimin e prokurorit të posaçëm apo të Drejtuesit të
Prokurorisë së Posaçme. Pasi të bëhet përzgjedhja e tyre do të nisë menjëherë puna ndërsa në 2021 të gjithë hetuesit do të nisen drejt SHBA ku do të trajnohen nga amerikanët.