Kosova nuk duhet të gjykohet për krimet e luftës, por është Serbia ajo që duhet të japë llogari për gjenocidin e kryer në Kosovë.
Në fund të fundit, z. Thaçi, z. Veseli dhe udhëheqësit e tjerë të UÇK-së, do të lirohen dhe do të vërtetohet drejtësia. Kështu thotë në një intervistë për “KosovaPress” politologu bullgar Anton Panchev.
Ai thotë se kjo është një padrejtësi që po i bëhet luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kritika ka adresuar për bashkësinë ndërkombëtare për qasjen e këtyre të fundit karshi Kosovës dhe Serbisë. Për këtë kërkon që t’i bëhet më shumë presion Serbisë, në mënyrë që të japë llogari për krimet e kryera në Kosovë.
Albanologu dhe politologu bullgar, Anton Panchev në një intervistë për “KosovaPress” i quan të rënda ngjarjet e fundit në Kosovë, nga Specialja. “Janë ngjarje të rënda, i kemi pritur për fat të keq.
Por duhet të themi se ne në Bullgari e dimë të vërtetën. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë kundër shqiptarëve të Kosovës edhe në vitet ‘90, në fund të dekadës së kaluar, por edhe gjatë shekullit XX. Në pranverën e vitit 1999, pikërisht burime bullgare kishin zbuluar planin serb për spastrimin e shqiptarëve të Kosovës, për gjenocidin mbi ta.
Këto ngjarje janë të rënda dhe duhet të themi se tani për tani, Beogradi ka një lloj suksesi me propagandën e tij kundër shqiptarëve”, thotë ai. Më tej, Panchev tha se në Hagë duhet të jenë udhëheqësit e Serbisë, të cilët dikur ishin persona të afërt me kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. “Unë nuk mund të kuptoj politikën e faktorit ndërkombëtar ndaj Serbisë, ndaj Kosovës pra, sepse ne dimë mirë se e drejta historike u takon shqiptarëve.
Serbia ka bërë shumë krime dhe asaj duhet t’i bëhet presion që të njohë shtetin e Kosovës, që të njohë sovranitetin e shtetit të Kosovës, sepse nuk mund të rrezikohet stabiliteti i Kosovës. Kisha serbe në Kosovë ka shumë të drejta, tepër të drejta dhe mund të kërkohet vetëm një gjë nga faktori ndërkombëtar, që Serbia të njohë Kosovën, të kërkohet falje për gjenocidin kundër shqiptarëve dhe në Hagë, në Tribunalin për krimet e luftës duhet të jenë udhëheqësit e Serbisë nga koha e Millosheviçit, që prapë qeverisin në Beograd.
Është me të vërtetë një situatë absurde sepse në Hagë do të duhej të ishte Aleksandër Vuçiç, Ivica Daçiç, e disa kriminelë të tjerë nga koha e Millosheviçit”, vijoi ai. Politologu shprehet i bindur se udhëheqësit e luftës çlirimtare të cilët do të gjykohen në Hagë do të dalin faqebardhë edhe kësaj radhe. “Unë besoj se në fund të fundit, z. Thaçi, z. Veseli dhe udhëheqësit e tjerë të UÇK-së, në fund të fundit do të lirohen, do të vërtetohet drejtësia. Pra, do të vërtetohet edhe në Hagë, unë nuk kam dyshim për këtë”, shprehet ai.