Teksa të gjithë presin shpjegime nga Lulzim Basha lidhur me akuzat e adresuara ndaj tij si i implikuar në fshehjen e filmimeve të masakrës në Krushë të Madhe gjatë kohës që ishte punonjës i UNMIK, kryedemokrati ka zgjedhur që të mbrohet me ish deputetin Ervin Salianji.
Ky i fundit, i vërtetuar tashmë edhe me vendim gjykate për njohuritë mjaft të mira teknike që ka kur vjen puna te kasetat, thotë se sipas tij akuzat janë false.
Në një dalje në News 24, Salianji analizon se Basha është i pafajshëm the se një gjë e tillë bëhet për të fituar politikisht.
“Tekniku i kasetave” arrin në pëfundimin se asgjë që thuhet nuk mund të shkojë më larg se sa teoritë konspirative.
Le të kujtojmë, se ish deputeti ka një eksperiencë të vjetër sa i përket menaxhimit të pamjeve filmike ku mundi të ideojë dhe realizojë skenarin “Babale” i cili i solli jo pak kosto besueshmëri Partisë Demokratike e cila mes shumë protestash u përpoq të ngrerë një kauzë të madhe mbi fantazinë e dy personazheve të dënuar për trafik droge.
“Është një fatkeqësi që në një situatë të vështirë për kombin dhe drejtuesit kryesorë të luftës së UÇK, qeveria shqiptare, se atë përfaqëson Rama, është në një situatë çmendurie ekstreme.
Në vend që t’i mbrojë juridikisht që të pastrohen nga akuzuat qesharake, se s’mund të barazosh viktimat me agresorët, Rama gjen kohë të merret me lojëra si këto, montime për të qeshur.
Është çështje serioze për tu talluar kaq rëndë nga Rama.
Të vetmet kaseta që duhet të hetohen janë ato të dosjes 186 apo 339 ku gjithë hierarkia më e lartë e PS përfshi dhe Ramën janë përfshirë në afera korruptive për shitblerjen e votës. E gjitha kjo pjesa tjetër është largimi i vëmendjes nga shqetësime si pandemia, ekonomia etj. Qeverisë shqiptare i takon që bashkë me atë në Kosovës të punojë për heqjen e akuzave.
Cdo qytetar e kupton qëllimin kur pyet a i shërben kjo kauzës kombëtare? Shqipërisë apo Kosovës? Këto janë të qarta. Dëmtojnë Shqipërinë dhe Kosovën, luftën e UCK. Këto bëhen për të krijuar një lloj llumnaje tek militantët për të fituar politkisht. Këto janë aq akuza bajate sa bëhen për të ushqyer njerëz që besojnë në teori konsporative. Nëse ka njerëz që besojnë se kanë komunikuar me ufot, aq mund të jetë edhe kjo histori e vërtetë”, tha Salianji i cili është mjaft i besueshëm kur vjen puna te çështja e kasetave. (TemA)