Fatjona Memçaj është emëruar si prokurore ndërlidhëse që do të ushtrojë funksionet në zyrën e Eurojust në Hagë për 2 vjet e 6 muaj. Komandimi i Memçaj erdhi ditën e sotme (17 dhjetor 2020) pasi u propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
“Në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe EUROJUST, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi komandimin e znj. Fatjona Memçaj prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, në pozicionin e prokurorit ndërlidhës pranë EUROJUST. Periudha e komandimit do të jetë 2,6 (dy vjet e gjashtë muaj) duke fillua nga 1 Janar 2021”,- thuhet në njoftimin e KLP.
Eurojust është ngritur në vitin 2002 me një vendim të Këshillit Europian. Ai ka në përbërje të tij prokurorë, magjistratë dhe oficerë policie nga çdo vend anëtar i Bashkimit Evropian si dhe prokurorët ndërlidhës nga vendet e treta ku bën pjesë edhe Shqipëria që nga data 1 nëntor 2019, kur hyri në fuqi Marrëveshja për Bashkëpunim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust.
Prokurorët ndërlidhës punojnë përkrah kolegëve të tyre nga vendet anëtare të BE, për të siguruar mbështetje në hetimet ndërkufitare ku përfshihet edhe vendi i tyre.