Rezultatet e sondazheve të ditëve të fundit dhe vendimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të dalë me dy lista në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, ka shkaktuar tërmet tek Lëvizja Socialiste për Integrim.
Në media janë publikuar dy sondazhe, të cilët e kuotojnë LSI si parti që merr 2% të votave në rang vendi në zgjedhjet e ardhshme, ç’ka do të thotë se ajo do të ketë përfaqësim minimal në Parlament. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, telashet për partinë e Kryemadhit janë shtuar ndjeshëm edhe për faktin se dalja me listë më vete, do të ishte një goditje e fortë për të.
Për rrjedhojë, gazeta ka mësuar se presidenti Ilir Meta dhe zyrtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim janë alarmuar, ndërsa kanë shtuar presionet ndaj kryedemokratit Lulzim Basha duke kërkuar që të jenë në listat e PD. Duke qenë se Basha e ka ndarë mendjen se nuk mund të shkojë në zgjedhje me emra të LSI në lista, partia e presidentit ka ndryshuar strategji pas sondazheve.
Negociatat i ka marrë në dorë Ilir Meta dhe sipas informacioneve, presidenti e LSI po kërkojnë nga PD që nëse nuk dilet në të gjithë vendin me lista të përbashkëta, të paktën në qarqet e vogla të ketë një listë unike.
Pra, presidenti Meta i trembet shkrirjes së LSI, në rast se ajo shkon e vetme në zgjedhje, kështu që ka rritur presionet ndaj shefit të selisë blu, në mënyrë që në gjysmën e qarqeve opozita e bashkuar të shkojë më një listë të përbashkët.
Konfirmimi i LSI
Një gjë e tillë është konfirmuar ditën e djeshme edhe nga ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha. Teksa ishte e ftuar në një studio televizive, Gjosha u shpreh se opozita e bashkuar është ende në diskutime se si do të dalë në listat e zgjedhjeve të 2021, por theksoi opsionin se mund të ketë edhe alternime të tyre, ku në disa qarqe sipas saj, të kandidojnë vetëm dhe në disa qarqe të tjera të kandidojnë me PD-në, në mënyrë që të maksimizohet vota.
“Opozita e Bashkuar është në diskutime e sipër për mënyrën se si do shkojmë në zgjedhje, ende nuk ka përfunduar dhe jemi duke parë të gjitha mundësitë. Secila nga partitë do të bëjë dhe kalkulimet e saj për maksimizimin e votës, ku mund të ketë edhe alternime të listave, ku në disa qarqe të shkojmë vetëm dhe në disa të tjerë mund të shkojmë së bashku me PD-në.
Jemi duke parë të gjitha alternativat për të maksimalizuar votën. Brenda pak kohësh do të kemi një vendim përfundimtar, por të jeni të bindur se do të bëhet zgjedhja më e mirë për të maksimalizuar votën në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi ish-ministrja e Integrim nga radhët e LSI, Klajda Gjosha.
Kreu i PD i vendosur kundër presidentit
Megjithatë pavarësisht presioneve, gazeta ka mësuar se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të paktën për momentin e ka refuzuar, kërkesën e presidentit Ilir Meta, që opozita e bashkuar të dalë me listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.
Mësohet se Basha nuk e do Lëvizjen Socialiste për Integrim, ç’ka do të thotë se kjo e fundit me shumë gjasa do të dalë me listë të saj në zgjedhje. Ndërkohë një tjetër arsye se përse Basha është kundër Metës, është edhe fakti se baza demokrate dhe aleatët tradicionalë të tij, ditët e fundit kanë shtuar dozën e presionit, duke kërkuar me ngulm të dinë si do të shkojë opozita në zgjedhje dhe kërkuar gjithashtu që LSI të dalë në listë më vete nga PD dhe partitë e tjera.
Kështu që i ndodhur përpara dy zjarreve, ku nga njëra anë aleatët tradicionalë dhe nga ana tjetër baza demokrate nuk e duan partinë e Kryemadhit në lista, mësohet se Basha është gati të vulosë ndarjen me LSI për zgjedhjet e 25 prillit.