Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Përmes një njoftimi për mediat, ambasada bën të ditur se shqetësim kryesor është pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë të korruptuar.
“Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA për të Drejtat e Njeriut për Shqipërinë për vitin 2020, vëren përparim të rëndësishëm nga prokurorët në ndjekjen e rasteve të nivelit të ulët të korrupsionit, por shqetësime të vazhdueshme mbi korrupsionin e përhapur; pavarësinë e gjyqësorit; kufizime në lirinë e të shprehurit dhe të medias dhe pandëshkueshmërisë”, tha ambasada amerikane.
Ndërkohë një postim në Twitter ka ardhur dhe nga vetë ambasadorja Yuri Kim. Ajo deklaroi se do të bashkëpunojë me qeverinë dhe me opozitën për të luftua korrupsionin në çdo nivel. “Presidenti Biden & Sekretari Blinken ka theksuar përparësinë e ripërtërirë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftimin e korrupsionit si një çështje e sigurisë kombëtare dhe globale.
Shtetet e Bashkuara do të punojnë më shumë se kurrë me qeverinë shqiptare, opozitën, shoqërinë civile, qytetarët e rregullt – në ndjekje të këtij përparësie”, tha ambasadorja amerikane. Të martën Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken paraqiti raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2020, duke thënë se riafirmonte angazhimin e Shteteve të Bashkuara për ta vënë çështjen e të drejtave të njeriut në qendër të politikës së jashtme të vendit. Sa i takon Shqipërisë, korrupsioni është problem si dhe pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë.
“Ndjekja penale dhe veçanërisht dënimi i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale”, thuhet në raport. Sipas tij, ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon që individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, parlamentarë, ose në qeveri apo në pozicione shtetërore, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive, thuhet në raport.
“Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Shembujt përfshijnë një kandidat për kryetar bashkie në vitin 2019 i dënuar më parë për trafik droge”, vijohet më tej. Kushtetuta e Shqipërisë, thuhet në raportin e DASH, kërkon që gjyqtarët dhe prokurorët t’i nënshtrohen vetingut për pasuri të pashpjegueshme, lidhje me krimin e organizuar dhe aftësi profesionale. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi vettingun dhe Dhoma e Apelit shqyrtoi vendimet e kontestuara.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i përbërë nga ekspertë gjyqësorë ndërkombëtarë, mbikëqyri procesin. “Deri në nëntor, 125 gjykatës dhe prokurorë u shkarkuan, 103 u konfirmuan, ndërsa 48 të tjerë kishin dhënë dorëheqjen që të mos i nënshtroheshin vetingut”, thuhet në raport. Më tej është bërë dhe një bilanc i rasteve të raportuara për korrupsion. “Disa agjenci qeveritare hetuan raste korrupsioni, por burimet e kufizuara, rrjedhjet e të dhënave hetimore, presionet politike reale apo të perceptuara i penguan hetimet. Midis janarit dhe shtatorit, zyra e prokurorit të përgjithshëm regjistroi 20 raste të reja korrupsioni dhe pushoi shtatë prej tyre. Departamenti i Administratës, Transparencës dhe Antikorrupsionit hetoi 29 raste, duke rezultuar në 115 masa administrative dhe 153 masa disiplinore”, thekson DASH.