Kongresi i Partisë Socialiste i mbajtur këtë të shtunë, ka dhënë sinjalet e para për ministrat që qëndrojnë dhe ikin në shtator nga qeveria.
Gjatë punimeve të Kongresit u prezantuan disa nga pikat kryesore të mandatit të tretë qeverisës, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla njoftoi ngritjen e Presidiumit.
Por ajo që bie në sy, është fakti se mes 19 emrave që u zgjodhën dhe tashmë do të jenë pjesë e Presidiumit, janë 7 ministra të qeverisë aktuale “Rama 2”, ndërsa 9 prej tyre janë lënë jashtë këtij organizimi që kooperon brenda Kongresit të Partisë Socialiste.
Më konkretisht, emrat që janë bërë pjesë e Presidiumit nga ministrat janë Arben Ahmetaj, Bledi Çuçi, Ogerta Manastirliu, Belinda Balluku, Etilda Gjonaj, Evis Kushi dhe Milva Ekonomi, ndërkohë që kanë mbetur jashtë emra si Olta Xhaçka, Elisa Spiropali, Niko Peleshi, Erion Braçe, Anila Denaj, Eduard Shalsi, Blendi Klosi, Elva Margariti dhe Pandeli Majko.
Ja emrat që rrezikojnë
Por vendimi për të futur 7 ministra në Presidium dhe për të lënë jashtë 9 të tjerë nga 16 që ka në total kabineti qeveritar, jep sinjale se edhe qeveria e re, e cila votohet në shtator do të ketë pjesë të saj disa emra që kanë pëlqimin e kryeministrit Edi Rama.
Kjo do të thotë se mes emrave që pritet t’i bashkohen qeverisë së re dhe që kanë pëlqimin, madje dakordësinë e shefit të ekzekutivit do të jenë disa nga ministrat aktualë si Balluku, Gjonaj, Manastirliu, Ekonomi, Kushi, Ahmetaj apo Çuçi. Ndërkohë që vlen të nënvizohet fakti se kryeministri Rama duket se iu ka mbyllur derën, duke iu hequr mundësinë për të qenë ministra, disa nga anëtarëve aktualë të Këshillit të Ministrave, si Xhaçka, Spiropali, Peleshi, Braçe, Denaj, Shalsi, Klosi, Margariti dhe Majko, të cilët në total e çojnë numrin në nëntë.
Pra, përmes vendimit për të krijuar Presidiumin dhe zbardhjes së emrave që do të jenë pjesë e tij, shefi i selisë rozë ka zbuluar edhe një pjesë të qeverisë së re 2021-2024. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Rama paralajmëron reformimin e qeverisë
Mirëpo, sinjale se në qeverinë e re, e cila do të krijohet dhe votohet në shtator, ka dhënë edhe vetë kryeministri Edi Rama. Teksa ishte duke folur të shtunën gjatë Kongresit të Partisë Socialiste, kryeministri Rama iu bëri thirrje të gjithë intelektualëve të diplomuar jashtë vendit dhe që kanë rezultate të kënaqshme, që t’i bashkohen qeverisë së re. Sipas Ramës, dera e PS do të qëndrojë hapur për këdo që ka ambicie dhe kërkon t’i bashkohet kabinetit të ri qeveritar 2021-2025.
“Ne duhet t’i hapim dyert e qeverisë që nga dyert e kabineteve të ministrave, të ministrive, të agjencive, të departamenteve, të bordeve për vajza e për djem të shkolluar jashtë shtetit, të cilët kanë arritur rezultate të larta dhe punojë jashtë shtetit në çdo sektor, e për vajza e djem të shkolluar me rezultate të shkëlqyera brenda shtetit që përballë dyerve të mbyllura e përballë arrogantëve, injorantëve, parazitëve që u përplasin derën në fytyrë, kërkojnë vetëm një shteg për të ikur nga Shqipëria”, deklaroi Rama.
Ministrat që janë në Presidiumin e Kongresit të PS
1. Arben Ahmetaj 2. Bledi Çuçi 3. Ogerta Manastirliu
4. Belinda Balluku 5. Etilda Gjonaj 6. Evis Kushi 7. Milva Ekonomi
Ministrat që janë lënë jashtë Presidiumit të Kongresit
1. Olta Xhaçka 2. Elisa Spiropali 3. Niko Peleshi 4. Erion Braçe zv/kryeministër
5. Anila Denaj 6. Eduard Shalsi 7. Blendi Klosi 8. Elva Margariti
9. Pandeli Majko