Juristi Romeo Kara ditën e djeshme me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook ka reaguar lidhur me situatën politike në vend, pas urdhrit ekzekutiv të presidentit Joe Biden për të futur në listën e zezë të SHBA personat e korruptuar.
Juristi u shpreh se strukturat tona të sistemit të drejtësisë kundër korrupsionit së bashku me asistencën amerikane kanë nisur një kundërvënie. Sipas tij, kushdo që cenon sovranitetin shqiptar, amerikan apo më gjerë, do të luftohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Përballë veprimeve të pakta, por konkrete nga strukturat tona të sistemit të drejtësisë kundër korrupsionit, shohim kundërvënien në një zë, majtas e djathtas të bashkuar, të atyre që asistencën e drejtpërdrejtë amerikane në këtë përballje, e konsiderojnë shkelje të sovranitetit shqiptar.
Futur kokën e zezë si struci ne broçkullën e pseudosovranitetit, avokatët e korrupsionit nuk duan ta kuptojnë se është korrupsioni i tyre ai që cenon sovranitetin shqiptar, amerikan dhe më gjerë dhe pikërisht për këtë arsye ai do të luftohet nga USA edhe në vendet e origjinës ku ai ka përvetësuar sovranitetin”, tha ai.
Juristi teksa u bazua në deklaratat e Biden u shpreh se presidenti e trajton korrupsionin si armik të sistemit demokratik pavarësisht vendit që shtrihet. Sipas tij, lufta ndaj korrupsionit do të sjellë më shumë vështirësi tek të korruptuarit që ata të mbrojnë aktivitetet e tyre.
“Presidenti Biden theksoi midis të tjerave se: “Korrupsioni prish besimin e publikut, pengon qeverisjen efektive, shtrembëron tregjet dhe qasjen e drejtë ndaj shërbimeve”. Pra Presidenti Biden e trajton korrupsionin si armik të sistemit demokratik kudo ku ky sistem shtrihet, përfshirë edhe vetë USA-n, kjo shërben për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin brenda dhe jashtë vendit duke bërë më të vështirë të korruptuarit që të mbrojnë aktivitetet e tyre”, tha ai.