Prej vjeshtës së 2017, politika dhe veçanërisht mazhoranca po përballet me një krizë që ka si origjinë nisjeje të dhënat e dala nga përgjimet.
Saimir Tahiri përfundoi në arrest shtëpie kur Prokuroria e Katanias vuri në përgjim vëllezërit Habilaj. Por, ndërsa përgjimet, ku përmendej Saimir Tahiri në Shqipëri, mbërritën si pasojë e punës kërkimore të gazetarëve, përgjimet e pretenduara ndaj vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj i’u dhanë një funksionari të Partisë Demokratike nga burime ende të mbajtura të fshehta.
Sipas Ervin Salianjit, që thuhet se ka siguruar materialin që tashmë është sekuestruar nga Prokuroria, bëhet fjalë për një përgjim të vitit 2018. Kjo është koha kur Fatmir Xhafaj ishte ministër i Brendeshëm.
Por kush e ka përgjuar Agron, apo Geron Xhafajn, ndërsa vetë PD thotë se ndaj tij nuk zbatohet ligji.
Në Shqipëri ligjërisht përgjime bën Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Prokuroria, por nga mënyra se si sillen politikanët dhe zyrtarët shqiptarë, tregon se ata i tremben edhe përgjimeve nga të tretët.
Një ekspert përgjimesh, izraeliti Yoram Frig u ndalua marsin e vitit 2017 në Tiranë. Ai rezultoi se ishte pajtuar nga deputeti Tom Doshi për të kontrolluar nëse në ambientet ku qëndronte dikush kishte vënë pajisje përgjuese.
Historia e përgjimeve shkon edhe më tej. Pak para se socialistët të merrnin pushtetin akuzuan ish-shefin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë se po përgjonte deputetë e diplomatë për llogari të ish-Kryeministrit Berisha.
Hetimet nuk e zbërthyen dot pajisjen përgjuese. Pak kohë më vonë, ish-ministri Saimir Tahiri u përfshi në një histori përgjimi nga ish-vartësi i tij, përfaqësues i LSI-së.
Por, vetë Tahiri u gjend nën akuzë politike me historinë e “IMSI Catcher”, një pajisje përgjimi për të cilën u bë edhe një hetim parlamentar. Opozita dhe jo vetëm akuzonin se pajisja përdorej për përgjime ilegale.
Megjithatë, tërmet politik shkaktuan publikimet e përgjimeve të Prokurorisë së Katanias dhe së fundmi audio-përgjimet e publikuara nga PD.
Situata nuk i ngjan ende asaj që ndodhi në Maqedoni, por pyetja qëndron; kush ka përgjuar? A është ai përgjim pjesë e ndonjë hetimi të Prokurorisë dhe kush e futi audio-përgjimin në kanale politike? A janë përgjime të Prokurorisë, Shërbimit Informativ, apo përgjimet po bëhen nga struktura jashtë atyre legale, e mbase jashtë Shqipërisë.
Kush po i përgjon ministrat e qeverisë? Prokuroria e ka nisur një hetim dhe asgjë nuk është e qartë, por një gjë është e sigurt; politika ka nisur të ketë frikë nga përgjimet, ndërsa nisja e punës e SPAK, njësisë së posaçme antikorrupsion do të shtojë numrin e denoncimeve për zyrtarët e lartë, siç ndodhi vite më parë në Rumani./ tch