Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kërkojnë më shumë guxim nga drejtësia për të ndëshkuar zyrtarët e zhytur në afera.
Dje ishte Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe pati shumë reagime nga ndërkombëtarët, të cilët duket se nuk janë shumë të kënaqur me ritmin e drejtësisë sa i takon ndëshkimit të politikanëve të lartë.
“Korrupsioni kërcënon sigurinë, barazinë ekonomike, minon sundimin e ligjit dhe zbeh besimin e publikut në institucionet qeveritare. Korrupsioni kërcënon të drejtat politike dhe liritë civile në nivel global dhe çon në gërryerjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Lufta kundër korrupsionit kërkon më shumë se fjalë, prandaj Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh në botë për mekanizmat kryesorë kundër korrupsionit, për të siguruar që vendet të përmbushin detyrimet e tyre. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Shtetet e Bashkuara konfirmojnë përkushtimin tonë për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar.
Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që t’u përmbahen angazhimeve të tyre për të luftuar korrupsionin”, u shpreh ambasada amerikane. Në të njëjtën linjë me të ishte edhe Ambasada e Bashkimit Europian. Përmes një deklarate BE kërkon nga institucionet e drejtësisë që të rrisin reagimin ndaj të korruptuarve, pasi sipas saj, kjo është shumë e rëndësishme për integrimin e vendit.
“Korrupsioni shteron burime jetike nga Shqipëria, ndikon në sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe ngadalëson ndjeshëm zhvillimin ekonomik. Në #IACD2021 u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të intensifikojnë veprimet e tyre kundër korrupsionit dhe të vënë para drejtësisë të gjithë ata që janë të përfshirë në akte korrupsioni.
Është jetike për të ardhmen e popullit shqiptar dhe për anëtarësimin e Flamurit të Shqipërisë në BE Flamuri i Bashkimit Evropian. #BE qëndron pranë #AlbaniaFlamurit të Shqipërisë dhe popullit të saj në këtë luftë”, shkruan delegacioni i BE-së në Twitter.
Reagon ambasada gjermane
Një mesazh të fortë dha edhe Ambasada Gjermane në Tiranë. Përmes një deklarate ambasada u shpreh se korrupsioni është pengesë për përparimin e çdo vendi prandaj ai nuk duhet të gjejë asnjë hapësirë. “Më 9 dhjetor 2003, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën kundër Korrupsionit dhe e shpalli këtë ditë “Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit”.
Korrupsioni është një nga pengesat më të mëdha të zhvillimit në të gjithë botën. Prej tij shpërdorohen para publike dhe pengohet zhvillimi i qëndrueshëm dhe i drejtë ekonomik. Mesazhi ynë është i qartë: Korrupsioni nuk ka vend në shoqëritë tona”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Me ngritjen e SPAK u rritën shpresat për të shkuar te arrestimi i pushtetarëve të lartë, por edhe pse kanë kaluar 2 vite akoma nuk kanë shkuar në bankën e të akuzuarve apo në qeli deputetë, ministra e emra të njohur. Duket se dhe ndërkombëtarët i shqetëson kjo gjë dhe kërkojnë më tepër angazhim.