Aktorja e njohur shqiptare Tinka Kurti jo pak herë e ka kujtuar një puthje në jetën e saj. Puthja e saj me Naim Frashërin ishte e para puthje në një film shqiptar, dhe kjo e theu një tabu të asaj kohe për mentalitetin sidomos shumë tradicional.
“Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë.
Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme” tregon aktorja Tinka Kurti.
“Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?”
Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë që shkela çdo bestytni për të realizuar rolin. Dhe këtë nuk e bënte çdo femër aktore” tregon Kurti.
Filmi “Tana”, i cili u prodhua nga Kinostudio Shqipëria në vitin 1958, njihet si filmi i parë artistik i metrazhit të gjatë shqiptarë. Premiera e filmit është dhënë më 17 gusht të vitit 1958. Ky film për regjisor kishte Kristaq Dhamo, skenari është punuar nga Kristaq Dhamo, Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi, ndërsa muzika nga Çesk Zadeja.