Pavarësisht të gjitha problemeve që lidhen me pandeminë e Covid-19 që po vazhdon ende, studiuesit arritën zbulime arkeologjike mbresëlënëse edhe gjatë vitit 2021. Ja cilat janë 10 më të rëndësishmet:
Gjeoglifi i madh në Indi
Gjeoglifi ndoshta më i madh në botë, u zbulua në shkretëtirën Thar në Indi afër kufirit me Pakistanin. Me një sipërfaqe prej rreth 20.8 hektarësh, gjeoglifi përbëhet nga disa spirale gjarpëruese që shkojnë sa para mbrapa.
Gjatësia totale e vijave të tij është 48 km. Gjeoglifi mendohet se është ndërtuar rreth 150 vjet më parë, por synimi i tij mbetet i paqartë. Ai u zbulua fillimisht nga një ekip studiuesish, që po analizonin peizazhin duke përdorur Google Earth.
Qyteti i Artë i humbur
Arkeologët e zbuluan qytetin pranë Luksorit (Tebës së lashtë) në Egjipt. Qyteti njihej si “Ngritja e Aten” dhe u themelua nga faraoni Amenhotep III, që sundoi midis viteve 1391- 1353 Para Erës Sonë. Qyteti përmban shumë shtëpi, godina administrative, një furrë të
madhe buke, një zonë prodhimi për tulla prej balte dhe disa varreza. Dokumentet historike sugjerojnë se Amenhotep III kishte 3 pallate mbretërore në qytet, ndërsa gërmimet arkeologjike në këtë sit janë duke vazhduar.
Zbulimi i skeletit të një njeriu të kryqëzuar në epokën e Romës së lashtë
Në Kembrixhshajër të Britanisë së Madhe, arkeologët zbuluan trupin e një burri që ishte kryqëzuar në moshën 25-35 vjeç. Një gozhdë u gjet e ngulur në të paktën njërën prej kockave të thembrës së tij. Arkeologët zbuluan se kockat e këmbës së tij ishin të holla, dhe kjo do të thotë se ai ka të ngjarë të ketë qenë i lidhur në një mur për një kohë të gjatë përpara kryqëzimit. Varrimi daton në shekullin III ose IV dhe viktima mund të ketë qenë një skllav.
Harta më e vjetër e Evropës
Një seri gdhendjesh mbi një pllakë guri 4000-vjeçare të zbuluara në Francë, përfaqësojnë hartën më të vjetër të Evropës deri më sot. Pllaka bart një seri vijash që përfaqësojnë lumin Ode dhe luginën e tij përreth në Francën Perëndimore, një zonë me përmasa 30 kilometra e gjatë dhe 21 km e gjerë.
Në fakt pllaka e gurit ishte gjetur që në vitin 1900. Por vetëm këtë vit, fotogrametria ndërtoi një imazh 3D shumë të detajuar të pllakës, duke zbuluar se gdhendjet përbëjnë një hartë. Ajo mund të jetë përdorur nga një princ ose mbret për të ilustruar territorin mbi të cilin sondonte.
Përqafimi i të dashuruarve të lashtë
Rreth 1500 vjet më parë, një çift u varrosën së bashku të përqafuar. Kur arkeologët gjetën mbetjet e tyre, përqafimi i tyre ishte ende i paprekur pavarësisht kalimit të kohës. “Ky është çifti i parë që gjendet në këtë pozicion në Kinë”- tha drejtuesit i gërmimeve Qian Uang, profesor i asociuar në Departamentin e Shkencave Biomjekësore në Kolegjin e Stomatologjisë A&M në Teksas.
Burri ishte i moshës 29-35 vjeç dhe kishte disa lëndime, përfshirë një krah të thyer dhe humbjen e gishtit në dorën e djathtë. Gruaja ishte midis 35-40 vjeç dhe kishte disa kavitete, por pa lëndime të dukshme. Studiuesit spekulojnë se pasi vdiq burri, gruaja mund të ketë vrarë veten për t’u varrosur bashkë me të.
Varreza më e vjetër në botë e kafshëve shtëpiake
Një varrezë 2000-vjeçare e kafshëve shtëpiake, që mund të jetë shembulli më i vjetër i njohur në botë, u zbulua në Berenice, një qytet-port në bregun e Detit të Kuq në Egjipt. Kafshët e varrosura në këtë varrezë, duket se kanë ngordhur nga shkaqe natyrore, dhe ishin mbajtur me shumë kujdes nga pronarët e tyre. Në vendvarrime të tjera në Egjipt, kafshët shpesh flijoheshin për nder të perëndive.
Parada 11.000- vjeçare
Një vend prehistorik 11.000-vjeçar në Turqi, që sot quhet Karahantepe, u përdor dikur për një paradë parahistorike kur njerëzit parakalonin nëpër një ndërtesë me shtylla në formë fallusi, dhe në majë me gdhendjen e një kokës së një njeriu.
Kjo ndërtesë është pjesë e një kompleksi më të madh. Gërmimet në këtë sit kanë filluar në vitin 2019. Ai daton në një kohë të ngjashme me Gobekli Tepe, një sit tjetër arkeologjik me ndërtesa të mëdha dhe gdhendje kafshësh dhe kokash njerëzish.
Monumenti më i vjetër i luftës
Një varrezë 4300-vjeçare në Siri, në sitin Tell Banat, mund të jetë monumenti më i vjetër i luftës i njohur në botë. Arkeologët thonë se ai përmban kufomat e të paktën 30 luftëtarëve së bashku me armët tyre. Mbishkrimet e lashta në Mesopotami, tregojnë se si trupat e të vdekurve të luftës grumbulloheshin në një strukturë shumë të organizuar. Zbulimi tregon “se njerëzit e lashtë i nderonin të rënët në betejë, ashtu si ne sot”- thotë Ana Porter, profesoreshë e Qytetërimeve të lashta të Lindjes së Mesme në Universitetin e Torontos.
Njeriu Dragua
Shkencëtarët në Kinë kanë raportuar zbulimin e një specieje të re njerëzore, të cilën e quajnë Homo longi që do të thotë “Njeriu Dragua”. Kjo u mësua nga një kafkë që u gjet në vitin 1933, por që ishte fshehur në një pus gjatë pushtimit japonez të Kinës, dhe ku mbeti atje për 85 vjet derisa u ri-zbulua dhe u studiua.
Studimet sugjerojnë se “Njeriu Dragua” mund të jetë specia e lidhur më e afërt me Homo Sapiens. Nuk është e qartë se kur është shfaqur saktësisht “Njeriu Dragua” dhe kur është zhdukur ai, por vetë kafka daton diku midis 309.000 dhe 138.000 vjetëve më parë.
Vizatimi më i vjetër i një fantazme
Një kurator në një muzeum identifikoi një gdhendje mbi një pllakë babilonase 3500-vjeçare, atë që konsiderohet si përshkrimi më i vjetër i njohur i një fantazme. Fantazma është një burrë me mjekër. Ai paraqitet i vrenjtur teksa çon një grua të lidhur me një litar në botën e përtejshme. Pllaka ndodhet në Muzeun Britanik, pasi është blerë që në shekullin XIX-të, por fantazma nuk ishte vënë re deri vonë. / bota.al