Partia Demokratike ka publikuar dje dy video ndërsa ngre akuza ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha. Në reagimin e PD, thuhet se Berishës sa më shumë i shtohen hallet, aq më shumë i shton mashtrimet.
Sipas PD, sot çdo shqiptar e ka të qartë se kush mbështet Berishën e Metën, mban Ramën. Në video tregohet kur Meta thotë që nuk e jap dorëheqjen për Shkëlzenin. “Ditë e re, mashtrim i ri.
Çfarë thotë sot, s’e thotë nesër. Çfarë gënjen sot, e harron nesër. ‘Non grata’ vjen vërdallë nëpër Shqipëri duke përdorur kandidatët e ‘Shtëpisë së Ilirit’ për hallin e tij.
‘Non grata’ nuk mund të pranojë njëri tjetër, prandaj kudo është vetëm ai, vetë kandidat, vetë kryetar, vetë udhëheqës, sa edhe pseudokandidatët i prezanton me foton e tij. Sa më shumë i shtohen hallet, aq më shumë i shton mashtrimet.
Siç bëri dhe dje që tha se do votonte kundër, por kur erdhi koha e votës iku si burracak ordiner. Sot çdo shqiptar e ka të qartë se kush mbështet Berishën e Metën, mban Ramën”, thuhet në reagimin e PD.
Por demokratët nuk u mjaftuan me kaq. Ata publikuan një tjetër video ku shfaqet Presidenti duke biseduar me Dritan Priftin për 700 mijë euro. Sipas demokratëve, Berisha dhe Meta janë duke mbajtur njëri-tjetrin. “Pengjet e korrupsionit mbajnë njëri-tjetrin, se po ra njëri bien të gjithë.
Kjo është arsyeja që ‘non grata’ të shpallura e të pa shpallura, janë bashkë, sulmojnë PD, duan shkatërrimin e PD. Sillen si burracakë, e frikacakë, siç bënë një ditë më parë kur u fshehën që të mos votojnë edhe pse mbushën dynjanë se do votojnë kundër në parlament.
Shajnë e mashtrojnë, pastaj fshihen që të harrohen. Tashmë demokratët e dinë, shqiptarët e dinë, se e shkuara kërkon të mbajë peng Shqipërinë për hallet e veta. Prandaj është e qartë se po mbështete Berishën dhe Metën, mban Ramën”, shprehet PD.