Partia e Lirisë duket se është partia më e shqetësuar në vend kohët e fundit. Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta, së fundmi u kanë bërë thirrje qytetarëve në vend të ngrihen në revolucion kundër qeverisë, pasi Rama po i zhyt në varfëri.
Absurdi qëndron te fakti se Kryemadhi dhe Meta u bëjnë thirrje qytetarëve të varfër që të ngrihen në revolta, pasi qeveria po i zhyt në varfëri dhe po shkatërron të ardhmen. Pra revoltat kërkohen nga liderë politikë, të cilët nuk vuajnë as varfërinë dhe as mjerimin arsimor.
Nëse shohim deklarimet ndër vite të pasurisë të zonjës Kryemadhi, e sidomos ato të vitit 2017, rezulton se kryetarja e LSI dhe presidenti Meta shpenzojnë 140 mijë paund ose 160 mijë euro për të shkolluar fëmijët në Londër. Por teksa Kryemadhi përlotet nëpër studio televizionesh dhe flet për kërcënime, në fakt të tre fëmijët e saj po i arsimon jashtë vendit.
Ndërkohë, Kryemadhi dje, por edhe ditët e mëparshme, u ka bërë thirrje studentëve që të marrin në dorë fatet e vendit. Por teksa nga njëra anë fëmijët i arsimon në Londër, nga ana tjetër Meta e Kryemadhi flasin për cilësinë e arsimit dhe nivelin e varfërisë në vend.
Monika së fundmi ka treguar luksin në të cilin është zhytur prej kohësh. Rast i freskët është nga një foto të publikuar në rrjetet sociale më 9 gusht nga ish-kryetarja e ish-LSI të shndërruar në Parti e Lirisë.
Foto duket krejt normale mes një grupi miqsh, por ajo që s’është normale është çmimi i shapkave që mban veshur Monika Kryemadhi, që nga një kërkim i thjeshtë në Google rezultojnë mbi gjysmë milioni lek. Më herët, në një intervistë televizive të disa viteve më parë, Kryemadhi tregonte me krenari ‘kështjellën’ në Gjirin e Lalëzit, ku edhe macja kishte banjon e vet personale.