Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski kanë zhvilluar dje një videokonferencë. Takimi online është zhvilluar këtë paradite dhe në fokus të bisedës mësohet se është përballimi i krizës energjitike. Lajmin e ka bërë me dije vetë Vuçiç përmes një postimi në rrjetet sociale.
Krah fotos, Vuçiç shkruan se kanë diskutuar për hapat e përbashkët për të siguruar një dimër të sigurt për të gjithë qytetarët e vendeve respektive, si dhe për takimin e ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit. “Unë fola me Edi Ramën dhe Dimitar Kovaçevskin për hapat e përbashkët për të siguruar një dimër të sigurt për të gjithë qytetarët tanë, si dhe takimin e ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, sepse së bashku jemi gjithmonë më të forte.
Një Ballkan i hapur do të thotë paqe, prosperitet dhe një të ardhme më të sigurt për njerëzit e rajonit tonë, sepse së bashku jemi gjithmonë më të fortë”, shkruan Vuçiç në postim. Ndërkohë dje pas takimit online, qeveria shqiptare miratoi dy marrëveshje në kuadër të procesit “Ballkan i Hapur”.
Bëhet fjalë marrëveshjen e bashkëpunimit për mbrojtjen ndaj katastrofave, e cila është miratuar ditën e djeshme me vendim të Këshillit të Ministrave, së bashku me marrëveshjen për mekanizmat e sigurimit të ushqimit për Ballkanin Perëndimor.
Këto dy vendime janë miratuar nga vetë kryeministri Edi Rama, pas koordinimit që ka pasur sot me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç si dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski në kuadër të Ballkanit të Hapur. Vendimi i parë i miratuar ka të bëj me bashkëpunimin e vendeve për mbrojtjen nga katastrofat, ndërsa vendimi i dytë ka të bëj me mekanizmat në lidhje me sigurimin e ushqimit në Ballkanin Perëndimor.
“Këshilli i Ministrave. V E N D O S I: Miratimin e marrëveshjes mbi bashkëpunimin për mbrojtjen ndaj katastrofave në Ballkanin Perëndimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhet në një prej vendimeve të qeverisë.