Aleksis Tsipras udhëtonte i qetë mëngjesin e së dielës drejt zonës greke të Prespës, ku do të takohej me homologun maqedonas, Zoran Zaev.
Kryeministri grek kishte marrë në xhep votëbesimin dhe njëherësh edhe mbështetjen e parlamentit vendas për emrin e ri të Maqedonisë, megjithëse nga opozita u quajt si tradhti.
Zoran Zaev nga ana tjetër do t’i duhet të kalojë pengesat, që s’janë të pakta. Fillimisht marrëveshja duhet të miratohet në Parlament dhe më pas të vuloset nga Presidenti vendas, Gjorge Ivanov. Ky i fundit ka paralajmëruar se do të vendosë veton për këtë marrëveshje dhe nuk përjashtohet edhe mundësia që të mbahet një referendum.
Megjithatë, Zaev dhe Tsipras u takuan në Prespë dhe hodhën të zezë mbi të bardhë ujdinë e arritur mes tyre thuajse një javë më parë, që e ndryshin emrin e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë Veriore.
Në fjalën e mbajtur, Tsipras i mëshoi rëndësisë që ka pakti për qytetarët, jo për politikanët.
“Është një marrëveshje për përmirësimin e jetës së qytetarëve. E kemi për detyrë që të vazhdojmë këtë rrugë historike dhe jam i bindur e optimist se do ta realizojmë këtë, që të shndërrohemi në shembuj paqeje dhe miqësie për rajonin dhe botën”, tha ai.
Zoran Zaev nga ana tjetër tha se marrëveshja hedh pas krahëve 3 dekada ngërç, mosbesim dhe armiqësi dhe sheh nga e ardhmja.
“Së bashku me Greqinë të shtrojmë rrugën për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Së bashku do të ruajmë stabilitetin dhe sigurinë e të ndërtojmë ura bashkëpunimi në të gjitha fushat. Qytetarët tanë meritojnë paqen”, deklaroi ai.
Pati një mesazh edhe për kundërshtarët e ujdisë, që nuk janë të paktë si në Athinë, ashtu edhe në Shkup.
“Grekët, maqedonasit dhe gjithë europianët janë më të fortë se frika që mbjellin ata që janë kundër paqes, ata që janë ksenofobë dhe propagandues.
Në ceremoni morën pjesë edhe ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimiç dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.