Fatos Klosi, ish-Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror është shprehur se asnjë forcë politike nuk mund të arrijë të pengojë finalizimin e marrëveshjes së detit me Greqinë.
Gjatë një interviste për gazetën ‘’SOT’’ ai është shprehur se koha e Sali Berishës ka marrë fund dhe se duhet të lërë mënjanë sulmet dhe akuzat.
Por në lidhje me koalicionin PD-LSI, Klosi u shpreh se e sheh diçka të pamundur që kjo gjë të ndodh gjatë zgjedhjeve vendore, pasi bazat e dy partive opozitare e kundërshtojnë një gjë të tillë. Më tej ish-kreu i SHISH thotë se LSI-ja pas daljes nga koalicioni me PS-në është dëmtuar shumë.
-Një temë që ka shkaktuar debat është ajo e paktit me Greqinë. Mendoni se do kemi një marrëveshje më të mirë se ajo e vitit 2009 të firmosur nga Berisha e Basha?
Ai është një problem që nuk e dimë ne fare. Edhe forca politike, edhe media nuk duhet të hapin diskutime për këtë problem për sa kohë që janë në punë dy delegacione qeveritare dhe komisionet teknike. Nuk dimë detaje fare, ne thjesht po broçkullisim kot. Mua më duket e paarsyeshme që të bëjmë këtë muhabet tani. Është shumë e parakohshme që të diskutojmë a ka probleme me marrëveshjen e re që po negociohet apo jo.
Unë besoj që problemi do të ketë shumë hallka, do jetë një marrëveshje midis delegacionesh, pastaj do të çohet për aprovim në qeveri dhe më pas do të kërkojë aprovim në Parlament. Janë shumë hallka dhe midis këtyre hallkave mund të mbahen qëndrime për gjëra që nuk shkojnë apo për vërejtje që dikush mund të ketë. Por tani pa u zbuluar asgjë, pa u thënë asgjë, të rrimë e të vrasim mendjen jo është bërë mirë kjo, jo është bërë keq kjo, më duket e paarsyeshme.
Është një ngutje që nuk kemi pse e bëjmë. T’i lëmë ata që janë angazhuar që të bëjnë punën e tyre dhe pastaj kur të dalë produkti t’i çmojmë nëse kanë punuar mirë apo jo. Unë shpresoj që marrëveshja të jetë e mirë. Tek e fundit, pse të mos jetë e mirë. Unë nuk e paragjykoj dot tani në këtë fazë e të them që nuk do të jetë produkt i mirë, është absurde nga ana ime.
-Që kur nisën diskutimet kemi vënë re që Presidenti ka qenë shumë kërkues mbi këtë marrëveshje. Edhe ditët e fundit ai sërish është shprehur se ka kërkuar informacione të plota përpara se të vendosë për finalizimin e paktit. A do sjellë kjo vonesa?
Unë nuk deshifroj dot deklaratat që bëjnë drejtues kaq të lartë të shtetit e të marr me mend se çfarë ka dashur të thotë zoti Meta apo zoti Bushati. Për këtë duhet pyetur Meta që të jetë pak edhe më transparent, edhe më i kuptueshëm. Ai ka zgjedhur të thotë se po pret akoma informacione dhe kjo është punë për të. Unë nuk besoj se ka forca që bëhen pengesë për finalizimin e kësaj marrëveshjeje. Mund të ketë vërejtje për gjëra konkrete në marrëveshje, por që të bëhen pengesë, më duket absurde një gjë e tillë.
-Pse Sali Berisha e sulmon marrëveshjen e re dhe këmbëngul se pakti i 2009 ishte shumë i mirë?
Sali Berisha gjithë jetën kështu ka qenë. Çdo gjë që është bërë nga qeveria socialiste ai e ka kritikuar. Edhe kur nuk ka qenë për t’u kritikuar një gjë, ai sërish ka gjetur argumente dhe ka shpifur e sajuar. Unë do t’ju këshilloja që të mos merreni me deklaratat e tij. Berisha e ka mbyllur karrierën e tij, ai i dha këtij populli çfarë pati për t’i dhënë 20 e ca vjet.
Tani ta lëmë të pleqërojë rehat. Po të mos ia dëgjoni ju se çfarë thotë ai, edhe Berisha do ta mbyllë gojën. Por nëse ju vazhdoni dhe komentoni deklaratat e atij, ai do të marrë zemër dhe do të vazhdojë të broçkullisë siç ka thënë gjithë jetën. Lëreni ju ish-kryeministrin në heshtje, bojkotojeni ju dhe keni për ta parë që edhe ai do ta mbyllë gojën. Nuk kanë më vlerë deklaratat e tij. Partia Demokratike ka kryetarin e saj që është kryetari i opozitës, zyrtarisht në Parlament përfaqëson opozitën. Berisha nuk është kurrkush, i bëri detyrat e tij ai. Do jetë historia ajo që do të tregojë nëse i ka bërë mirë apo keq, por për mua i ka bërë shumë keq.
-Mendoni se në PD vijon të ketë ndikim Sali Berisha, apo Basha ka filluar të distancohet prej tij? Marr shkas këtu nga fakti që Berisha bën çdo ditë thirrje për revoltë, por Basha ka reaguar paqësisht?
Nuk e di fare dhe nuk më intereson fare kjo pikë.
-Ish-deputetë të PD, kanë paralajmëruar se do dalin me parti të re. Një ndër ta është Astrit Patozi. Si i shihni këto lëvizje në kampin e djathtë?
Të shohim dhe të presim. Unë nuk kam çfarë u këshilloj atyre, ata thonë kështu dhe ne duhet të presim. Unë nuk mund të them asgjë për këtë sepse nuk e njoh këtë pjesë. Nëse do të krijohej një parti e re, mendoj se mund të jetë mirë duke qenë se kjo e vjetra praktikisht e ka mbaruar misionin e saj. Mbase një parti e re do të ndihmonte. Gjithë këto vite them se PD e ka bërë detyrën e saj.
-Si e shihni afrimin PD-LSI? Mendoni se në zgjedhjet vendore të 2019 këto dy parti mund të shkojnë si një koalicion?
Jo, kanë thënë që jo. Kryetarët opozitarë kanë deklaruar që jo. Madje mua më duket që pavarësisht se është rënë dakord në rrethet e larta, pavarësisht se Basha dhe Kryemadhi kanë rënë dakord për aksion opozitar të përbashkët, baza e të dyja partive është kundërshtare e fortë e këtij bashkëpunimi. Dhe për sa kohë që janë zgjedhjet lokale, mua më duket e gabuar që të kishte një bashkëpunim. Do ishte kundër opinionit të bazës një gjë e tillë.