Pëllumb Petritaj, njeriu i lançuar në emisionin “Report” në televizionin italian “RAI 3”, si firmëtar në një kontratë dhurimi të një sipërfaqe toke në Zvërnec të Vlorës tek fondacioni Italian “Eftimiadi”, ka vendosur të thyejë heshtjen disa vjeçare e të sqarojë sipas tij, të vërtetën e asaj kontrate dhurimi, që siç thotë ai herë pas herë lançohet si kriminale në televizionet italiane por dhe në mediat shqiptare.
I kontaktuar nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, Petritaj thotë se dy kontratat noteriale të dhurimit nuk kanë asnjë prapaskenë kriminale apo benefit politik, por kanë lindur si një detyrim që familja Shehu, ja kishte familjes Eftimiadi, për shkak të një mbivendosje toke e cila ndodhet në zonën e “Ujit të Ftohtë” dhe kjo pronë ishte zhvilluar duke u ndërtuar pallate.
Petritaj është njëri nga firmëtarët e këtyre kontratave dhe në këto dokumente ka përfaqësuar vullnetin juridik të Artur Shehut, për të dhuruar pjesët takuese, fondacionit italian, që zotërohej nga Luka Eftimiadi.
Përfaqësuesi ligjor i kësaj familje në Shqipëri dhe Itali, ka qenë avokati Ëngjëll Agaçi, që sot shërben si sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave dhe sipas Petritaj nuk kishte asnjë prapavijë politike në atë kohë.
“…në vitin 2009 fondacioni “Eftimiadi” kërkonte pronat e tij në Shqipëri dhe kishin konstatuar një seri problematikash. Ky fondacion kontaktoi përmes avokatit, të ndjerin Ramiz Shehu (babai i Artur Shehu) i cili i adresoj te unë si përfaqësuesi i tyre ligjor. Kishte lindur një problem ndërmjet pronave të familjes “Eftimiadi” dhe asaj “Shehu”. Me pak fjalë në zonën e “Ujit të Ftohtë” ku dy familjet e nderuara trashëgonin sipërfaqe toke dhe kishin qenë më parë komshinj mes njëra-tjetrës, ishte bërë një mbivendosje prone, ku fondacioni kishte pretendimet e veta gjithashtu edhe familja Shehu, e cila e zotëronte ligjërisht si pronë. Pasi u konsultova me Ramiz Shehun vendosem që këtë konflikt interesash mos ta zgjidhnim në rrugë gjyqësore por në një marrëveshje midis palëve, me qëllim të shmangnim dhe kalvarin e proceseve gjyqësore…”-thotë për “Ora News” Pëllumb Petritaj.
Përfaqësuesi ligjor i familjes Shehu më tej thotë në reagimin e tij se:
“…sot kjo e vërtet po shtrembërohet, duke trilluar dhe akuzuar kujtimin e një familje të përfaqësuar nga ky Fondacion edhe i një familjeje tjetër që thjesht ka mbrojtur interesat e veta në mënyrë ligjore dhe pa cenuar askënd…”.
Sipas Petritaj një mosmarrëveshje pronash mes dy familjeve që më pas ato e zgjidhën përmes dialogut, qytetarisë dhe mirëkuptimit duke firmosur dy kontratat e dhurimit, është transformuar dhe përdorur si karrem nga të paaftit e politikës.
Ku është reportazhi për Shqipërinë? Gazetari italian tregon arsyen se pse RAI 3 nuk e transmetoi pjesën e dytë të investigimit
“…kjo ngjarje që përfshin këto dy familje, të cilat gjetën një urë komunikimi për të zgjidhur konfliktin e tyre në mënyrë paqësore është transformuar, duke u përdorur si karrem nga të paaftit e politikës Shqiptare. Të cilët me vetëdije të plot kanë vendosur të jenë personazhe publike dhe në mënyrë të paskrupuj përfshijnë në afere politike familje edhe njerëz që jetojnë në privatësinë e tyre duke respektuar rregullat e shoqërisë dhe ligjet e shtetit Shqiptar. Duke cenuar imazhin, moralin dhe dinjitetin e këtyre njerëzve. Më vjen vërtet shumë keq që një pjesë e politikës së këtij shteti ka ngelur të përdori dhe të baltosi emrin e shtetasve të vet për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta dhe paaftësia e tyre. Pikërisht këta më pas u japin zë mediave, të cilat shkruajnë vetëm atë ç’ka dëgjojnë lart e poshtë pa vërtetuar asnjë informacion. Dua ti bëj thirrje që të ndërgjegjësohen sepse ndoshta nuk llogarisin dëmin që u shkaktojnë njerëzve dhe familjarëve të tyre, por ju garantoj që nuk është i vogël dhe nuk do ia uroja askujt…”-shprehet Pëllumb Petritaj.
Në reagimin e tij Pëllumb Petritaj thotë se:
“…Duke marrë shkak nga lajmet e fundit që kam lexuar nëpër mediat e ndryshme Shqiptare dhe të huaja ndjeji nevojën për të thënë të vërtetën time. Gjithashtu të pasqyroj një problematikë madhore që ndodh në shoqëri, keq informacioni, që i jepet popullit nga portalet e ndryshme. Nuk dua të akuzoj gazeta apo gazetar por dua të theksoj që çdokush që shkruan një artikull duhet të thellohet në marrjen e informacioneve dhe në vërtetësinë e tyre, duke mos u bazuar thjesht në fjalë të dëgjuara lart e poshtë. Ky fenomen keq informon publikun dhe dashur pa dashur i bëhet një gjyq publik dikujt pa asnjë bazë vërtetësie. Kjo më kthen shumë mbas në kohë kur në moshën 18 vjeçare u internova nga regjimi i asokohe, pse?!.. thjesht isha djali i vajzës së Luto Haxhiraj, i pushkatuar më 1943 pa vendim gjyqi.
Në ditët e sotme jam përfaqësuesi ligjor i mikut tim dhe familjes se tij Artur Shehu, i cili po pushkatohet pa gjyq në 2024. Theksoj Artur Shehu, i cili po përmendet padrejtësisht nga mediat Shqiptare dhe të huaja ka një dëshmi penaliteti të bardhë. Siç lart përmenda keqinfomacioni mund të baltosi familje të nderuara që kanë dhënë kontributin e tyre në shoqëri. Si rasti i familjes Shehu dhe familjes Eftimiadi, të cilëve në ditët e sotme po u përdhoset e vërteta. Dy familje ku paraardhësit e tyre kanë gëzuar respekt dhe pasardhësit kanë dashur të bëjnë të njëjtën gjë.
Familja Eftimiadi, një familje e respektuar italiane e cila fatkeqësisht nuk pati fatin të kishte një trashëgimtar në këto kohë që po jetojmë. Në vend të tij është trashëguar një fondacion për të nderuar këtë mbiemër Fondacioni “Eftimiadi”, i cili është hapur si amanet i trashëgimtarit të fundit Salvatore Luca Eftimiadi, i cili ndër vitet (1992-2007) luftoi për të marrë pronat e Luca dhe Marco Eftimiadi, babai dhe xhaxhai i tij.
Përpjekjet e tija nga burokracitë e shtetit Shqiptar qenë të kota, për të cilat kanë qenë në dijeni për zgjidhjen e problemit të tij edhe instancat më të larta të shtetit Italiane e Shqiptar. Në vitin 2009 fondacioni “Eftimiadi” përmes avokatit Ëngjëll Agaçi kontaktoi të ndjerin Ramiz Shehu (babai i Artur Shehu) i cili i adresoj te unë si përfaqësuesi i tyre ligjor.
Kishte lindur një problem ndërmjet pronave të familjes Eftimidai dhe asaj Shehu. Me pak fjalë ishte një mbivendosje prone, ku fondacioni kishte pretendimet e veta gjithashtu edhe familja Shehu, e cila e zotëronte ligjërisht si pronë. Pasi u konsultova me Ramiz Shehun vendosëm që këtë konflikt interesash mbi këtë pronë, mos ta zgjidhnim në rrugë gjyqësore por në një marrëveshje midis palëve.
Paranteza që bëra pak më sipër për familjen Eftimiadi të ndihmon të kuptosh arsyen pse familja Shehu, vendosi të bënte një marrëveshje njerëzore dhe ligjore. Lufta për të drejtat e të ndjerit Salvatore Luka Eftimiadi la mbas vetëm një fondacion dhe jo një trashëgimtar. Për këtë familja Shehu vendosi ta nderoj dhe të shlyejë këtë detyrim, duke i dhuruar 8 apartamente dhe një pronë, për të respektuar kujtimin e një familje që kërkonte të drejtat pronësore të tyre që shteti Shqiptar, nuk ua njohu kurrë, ndërsa familja “Shehu” po.
Gjithashtu edhe për të shmangur një kalvar të gjatë gjyqësor që këto dy familje do hynin mes njëra-tjetrës. Sot kjo e vërtet po shtrembërohet, duke trilluar dhe akuzuar kujtimin e një familje të përfaqësuar nga ky Fondacion edhe i një familjeje tjetër që thjesht ka mbrojtur interesat e veta në mënyrë ligjore dhe pa cënuar askënd.
Kjo ngjarje që përfshin këto dy familje, të cilat gjetën një urë komunikimi për të zgjidhur konfliktin e tyre në mënyrë paqësore është transformuar duke u përdorur si karrem nga të paaftit e politikës Shqiptare. Të cilët me vetëdije të plot kanë vendosur të jenë personazhe publike dhe në mënyrë të paskrupuj përfshijnë në afere politike familje edhe njerëz që jetojnë në privatësinë e tyre duke respektuar rregullat e shoqërisë dhe ligjet e shtetit Shqiptar.
Duke cenuar imazhin, moralin dhe dinjitetin e këtyre njerëzve. Më vjen vërtet shumë keq që një pjesë e politikës së këtij shteti ka ngelur të përdori dhe të baltosi emrin e shtetasve të vet për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta dhe paftësia e tyre.
Pikërisht këta më pas u japin zë mediave të cilat shkruajnë vetëm atë çka dëgjojnë lart e poshtë pa vërtetuar asnjë informacion. Dua ti bëj thirrje që të ndërgjegjësohen sepse ndoshta nuk llogarisin dëmin që u shkaktojnë njerëzve dhe familjarëve të tyre, por ju garantoj që nuk është i vogël dhe nuk do ia uroja askujt…”.