Nga Shaban Murati
Njoftimi i autoriteteve zyrtare greke në 11 korrik se Greqia ka dëbuar dy diplomatë rusë dhe u ka ndaluar hyrjen në vend dy të tjerëve, përbën një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për marrëdhëniet greko-ruse, por për krejt Ballkanin. Nga Greqia vjen një pamje dhe një dëshmi e re e veprimtarisë tradicionale ruse të ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti tjetër dhe e subversionit të vazhdueshëm për të vendosur influencën dhe kontrollin e jetës së vendit. Në 12 korrik zëvëndësministri i jashtëm grek, Georgos Katrougalos, e specifikoi se ”Ne kemi reaguar ndaj asaj, që e konsiderojmë shkelje të detyrimeve ndaj ligjit ndërkombëtar, në mbrojtje të sovranitetit tonë”. Denoncimi zyrtar i veprimtarisë së shërbimit diplomatiko-sekret rus në Greqi duhet të rizgjojë disa alarme në institucionet e specializuara shtetërore të të gjitha vendeve ballkanike, përshirë edhe Shqipërinë. Sepse kur kjo veprimtari ndodh në Greqi, një shtet shumë i afërt me Rusinë, është lehtë të imagjinohet se çfarë po bëjnë shërbimet diplomatiko-sekrete ruse në shtetet tjera të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Përse duhet ngritur një alarm ballkanik nga ngjarja e re diplomatike greko-ruse? Së pari, duhet thënë që Rusia zhvillon një veprimtari ndërhyrje dhe cënimi të sigurisë kombëtare në një shtet shumë mik, me një qeveri shumë mike të Rusisë. Greqia është antarja e NATO-s dhe e BE, që nuk u bashkua me afro 30 shtete të BE dhe të NATO-s, të cilët në muajin mars të këtij viti dëbuan diplomatë rusë. Greqia është shteti që nuk u bashkua me sanksionet e vendosura nga BE kundër Rusisë. Greqia nuk e ka dënuar asnjëherë aneksimin e Krimesë. Greqia i dha Rusisë hapësirën ajrore për kalimin e avionëve ushtarakë në ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri.
Kaq flagrante duhet të ketë qenë veprimtaria e shërbimit diplomatiko-sekret rus kundër interesave kombëtare greke, sa që Athina u detyrua t’i dëbojë diplomatët ruse. Madje qeveria greke e kishte paralajmëruar Moskën për këtë veprimtari të paligjshme të diplomatëve rusë, por Moska, e cila përçmon miqësitë e shteteve të vogla, nuk e mori në konsideratë paralajmërimin. Iu duk habi kur iu dëbuan diplomatët spiunë dhe në datën 13 korrik MPJ ruse thirri ambasadorin e Greqisë në Moskë për t’i shprehur protestën dhe për të lëshuar akuzën absurde se “Uashingtoni qendron prapa këtij vendimi antirus të qeverisë greke”.
Në datën 12 korrik, siç njoftonte portali i njohur rus “lenta.ru”, MPJ ruse bëri të ditur anullimin e vizitës së ministrit të jashtëm rus në Athinë. Së dyti, Rusia zhvillon një veprimtari të ndërhyrjes në një shtet të vjetër anëtar të NATO-s dhe të BE. Kjo do të thotë që anëtarësimi në NATO dhe në BE nuk sjell ndërprerje automatike të ndërhyrjes ruse. Kjo do të thotë që të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, anëtarë të rij të NATO-s dhe të BE, janë objekt i veprimtarisë së gjithanëshme ruse për influencë. Me metodën e karambolit diplomatiko-subversiv në Greqi, Moska synonte të sabotonte hyrjen e Maqedonisë në NATO, por këtë metodë pritet ta bëjë me çdo shtet tjetër të rajonit, që aspiron për në NATO. Së treti, Rusia ka ndërhyrë hapur në procese të jetës së brendshme politike greke. Ajo ka ndërhyrë në përplasjen aktuale të skenës politike greke midis qeverisë dhe opozitës lidhur me marrëveshjen me Maqedoninë për emrin. Interesi strategjik i Rusisë është që Maqedonia të mos hyjë në NATO dhe kjo arrihet duke mbajtur gjallë pengesën e deritanishme greke të emrit.
Në funksion të këtij qëllimi Moska mobilizoi në një fushatë urgjente shërbimet e saj diplomatiko-sekrete për të sabotuar marrëveshjen e Athinës me Shkupin për emrin. Moska financoi, organizoi, përkrahu dhe sponsorizoi të gjitha forcat politike proruse dhe manifestimet e protestës në Greqi kundër marrëveshjes me Maqedoninë. Shërbimi diplomatiko-sekret rus ndërhyri direkt tek deputetët e parlamentit grek, duke i shantazhuar dhe duke u përpjekur t’i korruptojë me para, që të votonin kundër marrëveshjes për emrin. Kemi metodën ruse të ndërhyrjes tek deputetët edhe në shtetet e tjera të Ballkanit për të ndikuar në miratimin apo refuzimin e ligjeve sipas interesave ruse.
Portali “intelnews.org” shkruante në 12 korrik se “disa raporte thonë që rusët janë kapur ndërsa përpiqeshin të shantazhonin deputetët grekë kundër zgjerimit të NATO-s. Diplomatët rusë janë përpjekur të bindnin deputetët grekë përmes kërcënimit dhe ryshfeteve, ose të të dyjave bashkë, që të votonin kundër marrëveshjes me Maqedoninë”. Së katërti, tërheq vëmendjen veprimtaria e shërbimit dplomatiko-sekret rus për të kontrolluar dhe për të përdorur kishën ortodokse greke për qëllimet ruse. Burime zyrtare greke kanë deklaruar me këtë rast se diplomatët rusë jo vetëm mobilizuan rrjetin e tyre në strukturat kishtare në gjithë qytetet dhe komunat, por ata qenë dhe organizatorë të manifestimeve të protestës, të thirrura nga kisha ortodokse greke kundër marrëveshjes për emrin. “Kathimerini” theksonte në 11 korrik se “Shoqata Imperiale Ortodokse Palestineze”, e krijuar dhe drejtuar nga Rusia në Greqi, është një nga grupet fetare, që përpiqet të nxisë influencën ruse në Greqi, përfshirë edhe komunitetin ortodoks grek të Malit Atos.
Gazeta “Njujork Tajms” shkruante se kjo shoqatë ruse “dyshohet se është kanali i influencës ruse në Greqi, sidomos në Malin Atos”. Sipas mediave greke, edhe qendrimi zyrtar i manastireve të Malit Afon, që u shpall në fund të qershorit kundër marrëveshjes për emrin dhe kundër qeverise greke, lidhet me nxitjen ruse. Strategjia e veprimtarisë subversive ruse për përdorimin e kishës ortodokse për qëllimet e politikës së jashtme ruse, që u zbatua brutalisht në Greqi, haset në të gjitha shtetet e tjera të rajonit, ku kisha ruse po mobilizon lidhjet me kishat ortodokse për t’i aktivizuar ato në shërbim të interesave të Rusisë në Ballkan. Së pesti, shërbimet diplomatiko-sekrete ruse u investuan dhe financuan shumë në fushën mediatike dhe në rrjetet sociale greke për të mobilizuar opinionin kundër marrëveshjes për emrin me Maqedoninë.
Fryrja e emocioneve nacionaliste dhe megallomane në mediat dhe rrjetet sociale greke ishte një megaoperacion i organizuar nga shërbimet ruse për të ngritur opinionin kundër marrëveshjes për emrin. Flagranca dhe metodat aktuale të ndërhyrjes së shërbimit diplomatiko-sekret rus në Greqi përbëjnë një alarm të ri për intensifikimin dhe shtrirjen e veprimtarisë së Rusisë në rajon.
Është një alarm, që duhet t’u hapë sytë të gjitha shteteve të rajonit se rrymat e nëndheshme ruse po shkojnë drejt baticës së tyre dhe po e bëjnë më të brishtë situatën gjeopolitike të rajonit. Shqipëria, jo vetëm nuk është jashtë rrezes së kësaj veprimtarie, por është ndër objektivat preferenciale të strategjisë së Moskës për ndikim në dinamikën politike dhe për përhapjen e qendrimeve antishqiptare dhe antiatlantike, të cilat jo rastësisht po inondojnë forcat politike, mediat, rrjetet sociale, akademike dhe të quajturën shoqëri civile shqiptare.
Idiotët e dobishëm të Rusisë në Tiranë, nga politika e deri tek mediat, jo vetëm po shtohen, por po guxojnë të dalin çdo ditë e më hapur.