Nga Anri Bala
Betejat morale janë ato më të vështirat, që kërkojnë mund e sakrificë të madhe! Por, çfarë është më e rëndësishmja… të drejtohen nga njerëz me moral dhe integritet, sepse të drejtuara nga sharlatanë, gjasat janë të dështojnë! Në rastin e teatrit, situata e krijuar së fundi, nuk të jep hapësirë të vendosësh në dyshim moralin dhe integritetin… midis një grupi deputetësh, që po na hiqen si artista, se “aktorin” kanë vite që e luajnë, sapo u jepet mundësia të ngjiten në skenën e tyre, që ngjall veç dëshpërim dhe ku publiku veç fishkëllen… dhe aktorit të vërtetë, atij që ka luajtur në skenë, për të përlotur duke argëtuar… publikun që duartroket.
Nuk është shumë e vështirë të kuptosh, se si mund të dështoj një angazhim politik, që qëndron shumë larg pritshmërive tona, kur sheh se grupi i sharlatanëve, që verën dhe dimrin e kalojnë duke u rrëzitur nëpër plazhe ekzotike dhe se kanë futur njëherë të vetme kokën në atë teatër, të kërkojnë për të mirën e artistit dhe të mirën tonë, një ndërtesë muze me lekët e taksapaguesve shqiptar! Ndërsa, artistëve u përvishen, pse duan një ambjent ku të zhvillohet, ashtu siç i ka hije, arti i dramës dhe i komedisë…?!
Me çfarë na shohin sytë, komedianët, ata pak që i kanë mbetur kauzës “ndërtesë muze”, i kanë shtuar radhët me ca “kllounë”, që vazhdojnë dhe shfaqen herë pas here, kur gjejnë skenë dhe spektator, t’i bien qemanes nën tingujt e të njëjtës melodie!
Asgjë të keqe nuk ka të kesh mendimin tënd, ndryshe apo si kolegu, e të protestosh se nuk mendon si të tjerët, por dukesh qesharak kur kërkon të bindësh artistët, se një kapanon në shembje dhe që bie erë, në të cilin nuk ke hyrë asnjëherë, duhet ruajtur për vanitetin tënd.
Madje, janë nga ai “kallëpi” i deputetit biznesmen, që akuzohen se kanë paguar deri në gjysëm milion euro… për tu “dukur” si parlamentar. Natyrisht, që nuk dua të merrem, se si i realizojnë dëshirat dhe “qejfet” njerëzit me paratë e tyre, por është e pakuptimtë të bësh llogaritë e tua me “xhepin e tjetrit”, e të fyesh aktorët si të shitur, kur vet njihesh si blerës pa dinjitet!
Për habinë time dhe tuajën, politikani që mbron interesat e artistëve dhe tonat, nuk është as aktor dhe as llagap i qytetit tonë, madje më shumë ka paguar taksa në Milano se në vendin e tij, por ka guxuar të ofendoi shijen dhe domosdoshmërinë e një artisti, vetëm se ka prejardhje nga qyteti i tij, Vlora!
Nuk besoj, se do të guxonte një djalë vlonjat, t’i thoshte Bujar Asqeriut i pafytyrë dhe padinjitet, jo se do e kishte frikë, por as nuk mund ta imagjinonte! Kurse Agron Shehaj, deputeti biznesmen guxon, sepse si “fytyrëndryshuar”, mendon se dinjiteti dhe fytyra e tij, tani duhet të jetë dinjiteti dhe fytyra e një artisti. Kurrë mos e dhëntë Zoti, por nëse dinjiteti dhe fytyra e njerëzve përfaqësohen nga figura politike të llojit të tij, artistët i kanë mirë rolet dhe mos ta heqin kurrë maskën!
Të vjen keq, kur sheh një djalë të ri, që lufton në distancë zhvillimin, në një fushë beteje pa ushtar dhe miq, që nuk ka nivelin minimal të dijes se përse lufton, kur komandën e marrin një tufë ushtarësh, që deri sot kanë humbur çdo betejë kundër qytetarëve dhe qytetarisë.
Ndaj, mbaje deputet dinjitetin dhe fytyrën e ushtarit Shvejk, ashtu siç e ke, apo si ta kanë ndryshuar, se qytetarët janë me fytyrën dhe dinjitetin e artistit, i cili edhe nëse ndërron rol, është aktor. Kurse ti, ti vërë maska hiq maska, po ai do mbetesh, njeri me personalitet të shitur, që mendon dhe flet ato, që idiotët e mençur të partisë, që të kanë marrë me “qira”, i shkruajnë për t’i shpërndarë si trakte.
Bën mirë të kërkosh falje, sepse do vijë një ditë, që do të detyrojnë njerëzit e qytetit tënd ta kerkosh në një mënyrë shumë të rëndë: “Më fal të hëngsha mun!”/Ekskluzive.al