Sali Berisha, nuk e ka ndaluar fushatën e tij denigruese në Bruksel, kundër Qeverisë shqiptare dhe posaçërisht kryeministrit Edi Rama, ku ndër të tjera nuk ka përjashtuar as skenarët e mundshëm të protestave.
Akuzat janë lëshuar si ndaj Ramës, ashtu edhe ndaj ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, duke deklaruar nga Brukseli se ata po përpiqen të ndikojnë në përmbajtjen e raportit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit.
Teksa ka dhënë një deklaratë për media, Berisha po ashtu ka thënë se PD-ja ka ndërmend të zhvillojë një betejë shumëplanëshe kundër ‘farsës elektorale’ dhe paralajmëroi edhe protesta.
Ai shtoi se shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë të vendosur të rrëzojnë regjimin e Tiranës.
Një fjalë e ka mbajtur edhe mbi raportin e fundit të Partive Popullore Evropiane, për të cilin tha se e “damkosi në mënyrë të qartë regjimin e Edi Ramës, duke e përshkruar atë si një regjim që shkel shtetin ligjor dhe të drejtat themelore të qytetarëve”.
Kryedemokrati shtoi se raporti denoncon ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë dhe mungesën e proceseve të drejta ligjore për qytetarët shqiptarë.
Ai theksoi se dokumenti i miratuar përshkruan si “farsë elektorale” zgjedhjet e 11 Majit 2025, duke iu referuar edhe raportit të përbashkët të OSBE/ODIHR dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës
Edi Rama ka bërë përpjekje shumë të mëdha për të ndryshuar raportin, për të ndryshuar jo vetëm këtu, por për të ndryshuar raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Por sot, përveç këtij miratimi në Komisionin e Jashtëm të raportit për Shqipërinë, dhe me këtë rast shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë deputetët e këtij komisioni, në mënyrë të veçantë kryetarin McAllister, koordinatorin e grupit të PPE, zotin Gahler dhe deputetë të tjerë, me të cilët patëm dje takime intensive dhe paraqitëm rastin si duhet për qëndrimet e tyre, për diskutimet e tyre, për denoncimin publik që ata i bënë në këtë komision regjimit të Edi Ramës dhe zgjedhjeve të tij.
Por sot ne ishim në Asamblenë Politike të PPE se ishte dita e dytë. Edhe sot pati përqendrim përsëri te Shqipëria.
Kërkesa e zonjës Vokshi, që rezoluta e miratuar në Valencia, e cila parashikoi pikë për pikë farsën elektorale të 11 Majit dhe dokumente të tjera për Shqipërinë, të sensibilizojnë më shumë institucionet ndërkombëtare që kryesohen nga personalitete të qendrës së djathtë evropiane dhe qeveritë e qendrës së djathtë të BE, kërkesë që u prit me shumë mbështetje dhe interes nga drejtuesit e PPE, por edhe diskutantët.
Në këtë seancë sot, përsëri eurodeputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të PPE, zoti Gahler, mori fjalën ku mbështeti fuqishëm të gjitha denoncimet e raportit të OSBE/ODIHR dhe në mënyrë të veçantë u ndal në denoncimin e pjesëmarrjes së krimit të organizuar në zgjedhje, bashkëpunimin e politikës me krimin në Shqipëri.
Ndër të tjera unë dua të informoj shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar se një nga qëllimet e këtij udhëtimi ishte të denoncoja pranë autoriteteve të këtij tempulli, ndërhyrjet banditeske, ndërhyrjet e turpshme në formë presionesh të Edi Ramës dhe ministrit të jashtëm pranë vëzhguesve të OSBE/ODIHR në mënyrë që të mund të ndryshojnë raportin.
Pra, unë them se udhëtimi, qëndrimi dyditor në tempullin e demokracisë evropiane, realizoi qëllimet e tij.
Por unë pata edhe një takim me drejtuesit e PD për Brukselin dhe diskutuam gjerësisht për një plan. Qytetarët evropianë do i dalin zot votës së tyre të shkelmuar nga narkoregjimi i Edi Ramës.
Po paralajmërojmë protesta në institucionet ndërkombëtare?
Paralajmërojmë të gjitha format e angazhimit të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit për votën e tyre. Edi Ramës do i ngecë në fyt vota e diasporës dhe dhunimi që iu bëri zgjedhjeve.