Pas kërkesës për rinumërimin e votave preferenciale nga kandidati i Partisë Demokratike në qarkun Dibër, Xhemal Gjunkshi, rezultoi se një pjesë e votave të tij ishin trafikuar tek kandidati tjetër brenda së njëjtës listë, Përparim Spahiu, përfaqësues i Partisë së Lirisë, dikur LSI.
Me sa duket, këta të LSI, pavarësisht se kanë ndryshuar emrin e partisë, veset u kanë ngelur të njëjta nga partia e vjetër.
Ndërkohë, Partia Demokratike dhe vetë Sali Berisha po kërkojnë pavlefshmëri të zgjedhjeve, duke pretenduar se ato janë manipuluar nga kundërshtarët politikë, rasti i fundit në Dibër dëshmon të kundërtën: hajdutët e votës në këtë rast nuk kanë qenë nga jashtë, por brenda listës së vet.
Ngjashëm me atë që ndodhi në Durrës dhe që mund të zbulohet edhe në Tiranë kur të hapen kutitë, kandidatët e listës së hapur të PD-së janë përfshirë në manipulime kundër njëri-tjetrit. Në vend që të funksionojë si një ekip, lista është kthyer në një garë të brendshme të pandershme, ku secili përpiqet të nxjerr tjetrin jashtë loje.
Kjo situatë, përveçse hedh poshtë pretendimet për vjedhje nga jashtë, nxjerr në pah një problem të madh brenda vetë opozitës. Vjedhja ka ndodhur, por jo nga kundërshtari politik, sepse kanë qenë kandidatët e opozitës që kanë vjedhur njëri-tjetrin.
Nga ana tjetër, edhe pse procesi i rinumërimit po tregon tjetërsime të votës brenda partive politike, ai nuk ndryshon rezultatin përfundimtar. Ky rezultat është tashmë i konfirmuar dhe nuk përmbyset. Çdo kuti që hapet dhe çdo numërim që përsëritet, vetëm sa thellon krizën e besueshmërisë brenda opozitës dhe i zbeh më shumë pretendimet për manipulime nga radhët e kundërshtarit.
Këtë vetëposhtërim të kandidatëve të listës së hapur, Berisha mund t’ia kishte kursyer imazhit të partisë së vet.
Sa për gjeneralin e shndërruar në ushtar në taborrin e Doktorit, ai u thirr për të mbrojtur votat nga Ulsiu, por s’i mbrojti dot as nga Spahiu.