Më në fund Rama u përball me drejtësinë e re… si humbës! Megjithëse ligjërisht, edhe bufi e merr vesh që gjykata u tall me të. Madje mirë që humbi, por edhe u dënua… të paguaj shpenzimet e gjyqit si paditës.
Ndaj, i irrituar dhe kritik, sepse gjylja e vogël sapo ra në mullarin e barit në oborrin e shtëpisë së tij, “babai i drejtësisë së re”, nuk u tregua aspak i moralshëm në reagimin e tij publik:
“Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!!
Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!!
Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur – kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim!
Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!
Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është fare çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh.
Këtu halli është si do u vej halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!”, shkruan Rama.
Ky është reagimi i Ramës, i cili pretendon nga ana tjetër, se i ka dhënë shpatën e ligjit SPAK-ut për të bërë drejtësi, ku në fakt “spakistat” deri tani po sillen si inkuzicioni, jo me antifetarët dhe ateistët por zyrtarët dhe shtetarët, që sipas tyre krimi i vetëm që kanë bërë është se kanë lejuar ose kontribuar në humbjen e tenderit nga “Kallashi” dhe fitimin e tenderit nga “Pallashi”, pra është shkelur barazia në tendera dhe… asnjë lekë i paguar apo i dhuruar, pra zero korrupsion.
Ky është inkuzicioni i ri i momentit, që i kap njerëzit zvarrë dhe i plas në burg për tu gjetur me lente “morrat” e krimit… nëse kanë, e nëse s’kanë as që japin llogari gjëkundi, fal shpatës me dy tehe, të dhënë siç deklaron Rama nga ai dhe socialistët.
Mirëpo kjo ishte një armë për tu lëvduar kur futej në gjoksin e të tjerëve, se kur gudulis shpinën e këtij “dorxhiari” që bashkë me shokët bëjnë dhurata të frikshme, kjo sipas tij nuk është shpatë por kamë që dhemb fort tani… në fund pas pësimit.
Rama u qan hallin qytetarëve të pambrojtur nga kjo (pa)drejtësi e frikshme në revansh, por nuk bënë asnjë hap për të përdorur të drejtën kushtetuese në Parlament, për t’i ndaluar këta delirant, që vetëm drejtësi nuk kanë bërë deri tani, por nxjerrje mllefi me ata që i kishin halë në sy sepse nuk i arrinin dot minimumin e tyre intelektual dhe famën që u jepte aftësia për të drejtuar…pushteti.
Po sikur Ramës, këta heronjtë e 140-ës t’i ngulnin një bajonet, a mendoni se çfarë do bënte ai aty, ku ka të gjitha hapësirat… në Kuvendin e Shqipërisë?! /Ekskluzive.al