Muli vendosi t’i dërgojë sot një letër mbështetjeje presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro. Thirri Lelon që t’i jepte dorën e fundit dhe ta përkthente në anglisht:
I dashur zoti President,
Me shqetësim të madh mësuam se jeni në luftë me mafian shqiptare në Kolumbi, pasi ata kanë kërkuar të vrisnin rivalin tuaj në fushatë.
Kjo është një ngjarje shumë e rëndë për atdheun tonë, por jemi të detyruar ta pranojmë këtë turp, pasi në Shqipëri është vendosur regjimi i narkoshtetit.
Ashtu si Enver Hoxha që kërkonte të përhapte marksizmin në gjithë botën para viteve ’90, Edi Rama po përpiqet të eksportojë modelin e narkoshtetit në Amerikën Latine – në Kolumbi, Ekuador, Paraguaj e më tej.
Gjest fisnik ishte që ju, si president në detyrë, mbrojtët nderin e kundërshtarit tuaj të vrarë në atentat. Tregon se e keni seriozisht luftën me mafian, jo vetëm kur ju sulmojnë ju, por edhe kur vrasin rivalin tuaj.
Na duket pak e çuditshme pse ata vranë rivalin dhe jo ju, por kjo është ndoshta pjesë e skemës së Edi Ramës – sepse ai gjithmonë fillon duke vrarë opozitën. Kështu ka bërë edhe në Shqipëri: në fillim e shkatërroi opozitën duke korruptuar liderin e saj, pastaj futi në burg tre liderë të tjerë, dhe tani rri i lirë si hero kombëtar i mafias.
Por ju keni bërë një akt madhor: edhe pse ju vranë kundërshtarin, ju ngritët zërin dhe premtuat se do gjeni dikë më të mirë për opozitën. Me këtë veprim, ju i treguat vendin mafies shqiptare. Ajo dështoi.
E vetmja gjë që ka mbetur aty është një gazetar shqiptar që përpiqet ta mbrojë Edi Ramën nga Kolumbia, ku punon si pedagog. Quhet Bledi Kajsiu. Ju lutemi ta përzini, sepse është zëdhënës i bandave shqiptare dhe është denoncuar edhe nga kolegët e tij në Tiranë.
Do të shpresonim të na ftonit për një vizitë, ne opozitarët shqiptarë, që të mësojmë edhe ne si të mbijetojmë në opozitë nën regjimin e narkoshtetit dhe si të mos përfundojmë si rivali juaj.
Në pritje të ftesës suaj, ju dërgojmë përgëzimet më të zjarrta për denoncimin e narkoshtetit shqiptar në skenën ndërkombëtare.
Me respekt,
Muli