Nga Mero Baze
Sara Mile ka lindur kur Sali Berisha ka vjedhur zgjedhjet e para më 1996. Shkatërrimi i zgjedhjeve të vitit 1996, qëndrimi i prerë i SHBA për mosnjohjen e zgjedhjeve dhe vlerësimi se ato janë hap prapa në zhvillimin e Shqipërisë, janë fillimi i fundit politik të Sali Berishës në SHBA, e cila rezultoi më pas me mbushjen e një dosjeje voluminoze ku përfshihen destabilizimi i vitit 1997, lidhjet me Al Kaedën, përpjekja për të rezistuar me mbështetjen e islamit politik, pastaj rikthimi i dytë si një përpjekje për të kontrolluar Shqipërinë me familjen e tij si pronë private, vrasjet në bulevard, aksidenti tragjik i Gërdecit, etj.
Sot Sali Berisha hyri në parlament dhe kërkonte Sara Milen. Nuk e njoh këtë vajzë aq shumë të përfolur për votat në Elbasan, por një fëmijë që ka lindur vitin kur Sali Berisha ka shkatërruar zgjedhjet në Shqipëri, duket që e ka mallkim të mos i ndahen përfoljet për zgjedhjet.
Dhe tani në vend të duetit Zeqine–Gazi, në Kuvend do të kemi duetin Sara Mile – gjyshi Saliu.
Sara Mile ka moshën e vjedhjes së votave nga gjyshi Saliu, pra ka lindur në atë vit kur Saliu ka institucionalizuar vjedhjen e votave në Shqipëri dhe po hyn në parlament duke gjetur sërish aty gjyshin Saliun duke folur për vjedhje votash.
E vetmja mënyrë për ta përballuar këtë debat komik është ta marrim me të qeshur.
Tani do të kemi përballjen mes një vajze që është sa mbesa e Saliut, e cila jeton me apartamentet e familjes kriminale, në vilat që kanë në Gjermani, një tjetër që ka në Holandë, një në Belgjikë, e tjetrën në Budapest, ndërsa kjo, bashkëmoshatarja e mbesës së tij, që ka moshën e vjedhjes së votave të tij, jeton në Elbasan dhe është në akuzë nga gjyshi Saliu se ka lidhje me krimin.
Për Sarën s’kemi ende ndonjë dëshmi për lidhje me krimin, por për mbesën e Saliut po. Ajo jeton në Perëndim me vilat e familjes më kriminale në vend, të sanksionuar “non grata” për korrupsion madhor, duke filluar nga gjyshi Saliu, gjyshja Liri, daja Shkëlzen dhe mamaja Argita.
Tani i vetmi argëtim që presim në shtator do të jenë debatet e gjyshit Sali kriminel, me bashkëmoshataren e mbesës së tij, lindur vitin që Saliu shkatërroi zgjedhjet në këtë vend, në kërkim të një debati se si mund t’i rregullojnë këta të dy zgjedhjet në të ardhmen — njëri që ka lindur për t’i prishur dhe tjetra që ka lindur kur ai nisi t’i prishë.