Rasti i Erjon Veliajt po shndërrohet në një precedent të rrezikshëm për mënyrën se si vepron drejtësia në Shqipëri. Mbajtja e tij për më shumë se 5 muaj në paraburgim pa një akuzë zyrtare nuk është thjesht një problem ligjor, por një alarm për gjithë sistemin e drejtësisë në vend.
Çdo ditë që kalon, rrit dyshimet se kemi të bëjmë jo me drejtësi të pavarur, por me drejtësi të drejtuar nga skenarë dhe interesa të caktuara politike apo personale.
Edhe më i rëndë është fakti që media të caktuara, të njohura tashmë për afërsinë me segmente të drejtësisë, furnizohen rregullisht me informacione konfidenciale nga prokurorë të caktuar brenda SPAK-ut.
Këta të fundit, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe etikën profesionale, i japin opinionit publik përpara kohe versionin e tyre të akuzës — një ditë përpara se i pandehuri apo studioja e tij ligjore të njihet me akuzën zyrtare. Ky është një akt i papranueshëm që jo vetëm shkel të drejtat procedurale të të hetuarit, por synon të krijojë një dënim publik paraprak, përmes perceptimit dhe jo përmes provës.
Siç deklaron edhe ekipi ligjor i Veliajt: “Jemi thellësisht të shqetësuar që praktika e nxjerrjes së informacioneve mbi procedurat e çështjes penale të z. Veliaj vijon edhe në rrethanat e një takimi të prezumuar që do të mbahet nesër mes avokatëve të tij dhe SPAK-ut. Njoftimi i medias apo marrja e informacionit nga ana e medias përpara se vetë personit nën hetim, z. Veliaj, është një provë tjetër e degradimit të procesit.”
Kur akuza shpallet më parë në media sesa në sallën e gjyqit, nuk kemi më të bëjmë me drejtësi, por me dënim me “gjyq popullor”, një praktikë e njohur nga kohët më të errëta të regjimeve autoritare. Nëse SPAK vërtet synon të ruajë integritetin dhe besimin publik, duhet të refuzojë rolin e instrumentit të propagandës dhe të rikthehet te parimet themelore të shtetit të së drejtës: hetimi i drejtë, procesi i rregullt dhe prezumimi i pafajësisë. Çdo devijim nga kjo rrugë e çon vendin jo drejt drejtësisë, por drejt farsës./ TemA