Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj pësoi një rënie të papritur dhe të pabesueshme në skenën politike shqiptare. Arrestimi i tij në shkurt nga Prokuroria e Posaçme, për akuzat e korrupsionit, fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave, vazhdon të shpalosë në publik përplasjet e nëndheshme për pushtet dhe “thika pas shpine” brenda kupolës së pushtetit rilindas. Por, çfarë qëndron pas kësaj rënieje të shpejtë të Veliajt? Deri më tani faktet tregojnë se figura kyçe që ka shfrytëzuar situatën e rëndë që po kalon Veliaj është zv/kryeministrja Belinda Balluku. Dyshohet se kanë qenë ajo që ka lëvizur fijet për të sjellë rënien e Veliajt.
Prapaskenat
Sipas dosjes së SPAK, Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë vënë në jetë një skemë të organizuar për përfitime të paligjshme. Noter-Prokurori Ols Dado deklaron se zbuloi se fonde publike dhe leje ndërtimi që firmoseshin nga kryebashkiaku për disa subjekte tregtare, përfundonin te disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, apo dhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh. Këto informacione konfidenciale që shërbyen për ‘brrylat’ si prokurorët specialë që të duan gjoja të zbardhnin skemën korruptive të Veliajt janë denoncuar nga një qytetar me emrin Nesti Angoni, i cili nuk ekziston si emër, fakt ky i pranuar nga Veliaj dhe vetë SPAK. Deri më tani ata që janë përpjekur të zbulojnë se kush qëndron pas Nesti Angonit, kanë parë disa aspekte ligjore dhe politike. E para, direkt iu ka shkuar mendja për dikë të brendshëm që ka njohuri për detaje të rëndësishme, por që nuk mund të dalë hapur dhe të identifikohet. E dyta, duhet të ishte dikush që ka një motiv të fortë për të denoncuar dhe për ta dëmtuar Erion Veliajn.
Në Partinë Socialiste, kush ka qenë armiku më i egër i Veliajt? Nga e gjithë panorama politike në PS, Belinda Balluku është përmendur shpesh si një rivale e fortë e tij. Gjatë gjithë kësaj kohe, nga përkrahësit publikë të Veliajt është përhapur lajmi se një pjesë e sulmit ndaj tij vjen nga Partia Socialiste dhe një grup brenda qeverisë, që kanë qenë gjithmonë kundër atij që konsiderohej si delfini i Ramës. Madje mbrojtësit mediatikë të Veliajt dolën hapur duke thënë se kryebashkiaku po goditet nga Belinda Balluku. “Pra, denoncuesi anonim i ka kërkuar SPAK-ut të gjurmojë, pasi sipas tij Veliaj ka qenë me një person tjetër në të njëjtin avion. Pikëpyetja që natyrshëm ngrihet, është se si e ka gjetur ky anonim inekzistent aksesin për të gërmuar në regjistrat e Aviacionit Civil dhe të gjejë një informacion kaq konfidencial se në avion me Veliajn 20 vite më parë ka qenë dhe një person tjetër, biznesmen, kur sistemi TIMS as nuk ka ekzistuar në atë kohë. Kush është burimi i “kallëzuesit anonim shumë të informuar” që ka gjetur një dokument jo publik nga lista e Aviacionit Civil” shkruanin disa javë më parë mediat pranë Veliajt.
Dihet që “duart” te Aviacioni Civil mund t’i fuste vetëm Balluku. Madje këtë tezë e përforcoi edhe më shumë Arben Ahmetaj, i cili ka qenë një nga njerëzit më të rëndësishëm në PS. Nga arratia në Zvicër, ai tha se Balluku ka paguar njerëz të opozitës, pra Flamur Nokën dhe Belind Këlliçin për të protestuar kundër Erion Veliajt. “Po, pooo. Njerëz të saj kanë paguar njerëz për të shkuar në protestë. Ore shiko se kur të mbarosh këtë intervistën do ulesh me njerëz, kolegë të tu gazetar dhe do thonë, po ne i dimë këto o burrë, ca tha… thojini pra”, tha Ahmetaj. Këto fakte ngrenë dyshime të forta se “Nesti Angoni” nuk është një qytetar i thjeshtë, por më shumë një person brenda strukturave të qeverisë, që ka patur akses në informacione dhe skema korruptive të Bashkisë së Tiranës. Nëse ky person ka pasur akses në informacionet e brendshme që implikojnë Veliajn, kjo tregon se ai ka qenë një individ i lidhur ngushtë me politikën dhe administratën e lartë, dhe jo një person nga jashtë. Kjo i jep më shumë peshë tezes se Belinda Balluku mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë denoncim.
Motra e Ballukut
Një tjetër element që ka shtuar dyshimet për rolin e Belinda Ballukut në këtë histori është shpejtësia marramendëse me të cilën janë zhvilluar hetimet dhe përfundimi i tyre. Për një çështje kaq të ndërlikuar dhe voluminoze, që ka kërkuar shumë kohë për t’u hetuar, përfundimi i hetimeve në vetëm 165 ditë ka ngritur shqetësime për mundësinë e ndikimeve të jashtme. Madje dhe regjistrimi i kallëzimit penal nga një anonim dhe nisja e hetimit të menjëhershëm ishte i befasishëm për SPAK, pasi ata kanë në duar dosje që kanë vite që i mbajnë në sirtar, sidomos dosjet për Ballukun që janë bërë “mal”. Disa dyshime kanë lidhur këtë me rolin e motrës së Belinda Ballukut, Pamela Qirko, e cila ka shtrirë “tentakulat” në drejtësinë e re pasi e ka ndihmuar puna si kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Pamela Qirko është akuzuar nga media dhe opozita si dëshmia me e qartë e nepotizmit dhe të kapjes së drejtësisë shqiptare nga qeveria.
Në momentin që Pamela Qirko u emërua nga Parlamenti si anëtare e komisionit të vetingut, motra e saj Belinda votoi në konflikt të hapur interesi pro saj në Parlament. Më pas Balluku u promovua në postin e Zëvendëskryeministres dhe titullares së Ministrisë mjaft të rëndësishme të qeverise. Dyshohet se një nga arsyet kryesore të promovimit të Ballukut, ishte pikërisht pozicioni kyç i së motrës Pamela Qirko në krye të komisionit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nëse një gjyqtar apo prokuror nuk vendoste në favor të Ballukut apo të vartësve të saj, shumë shpejt hynte dhe ngelte në veting, ku përballej me motrën e Belindës, Pamelën, e cila jo vetëm kishte të drejtën e votës në trupën e vetingut, por si kryetare e KPK kontrollon edhe shortin e gjyqtarëve të tjerë që shqyrtojnë dosjet.
Belinda kandidate për të marrë Bashkinë Tiranë?
Pasi Veliaj u largua nga skena, tashmë burime brenda PS-së flasin për një lëvizje të mundshme nga Edi Rama për të emëruar Belinda Ballukun si kandidate për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e parakohshme të vjeshtës. Ajo që është interesante është se kandidatura e Ballukut nuk ka qenë zgjedhja e parë e kryeministrit. Fillimisht, dy emra të tjerë ishin diskutuar si mundësi për këtë post, Ogerta Manastirliu dhe Blendi Gonxhe, të dy të afërt me Ramën. Por, pas përplasjes dhe fundosjes së Veliajt, Balluku ka intensifikuar lëvizjet e saj prapaskenë dhe ka arritur të imponojë emrin e saj si opsioni i preferuar për Tiranën. Ky zhvillim tregon jo vetëm për përpjekjen e saj për të shfrytëzuar çdo mundësi pas rënies së Veliajt, por dhe për ambicien e fortë të Ballukut për të marrë kontrollin e Bashkisë dhe për të forcuar ndikimin e saj të brendshëm në Partinë Socialiste, duke u pozicionuar si një pasardhëse e mundshme e Ramës.