Mero Baze
Avokati i Popullit ka njoftuar se ka marrë kontakte në burg me Ilir Metën dhe Erion Veliajn gjatë ditëve të fundit lidhur me pretendimet e tyre rreth tejkalimit të dhunës psikologjike dhe fizike në burg nga autoritetet zyrtare të burgjeve dhe presionit të SPAK mbi ta. Ende nuk ka ndonjë komunikatë zyrtare të Avokatit të Popullit mbi përmbajtjet e denoncimeve të tyre, por për publikun është pak a shumë e qartë fakti që Ilir Meta ka më shumë se një vit në paraburgim, nën pretendimin se mund të ndikonte mbi hetimet apo të arratisej. Veliaj ka hyrë në muajin e shtatë me të njëjtin arsyetim.
Kjo është hera e parë, qysh pas arrestimit të Fatos Nanos në Shqipëri, që dy politikanë të lartë ankohen për shkelje të të drejtave të njeriut në burg, edhe pse tek rasti i Fatos Nanos padrejtësi ishte arrestimi dhe jo aq trajtimi në burg.
Në rastin në fjalë i kanë të dyja.
Nuk jam i qartë për çfarë ka hetuar inspektori i Avokatit të Popullit, por për mendimin tim ai mund ta bënte një raport dhe pa shkuar fare në burg. Si dy figura me profil të lartë politik, ata natyrisht duhet të krahasohen me të ngjashmit e tyre të burgosur vitet e fundit, madje dhe të ngjashmit nga i njëjti kamp politik.
Fjala vjen, Erion Veliaj duhet të krahasohet me mënyrën se si autoritetet në burgje kanë trajtuar Saimir Tahirin, Ilir Beqajn, Vangjush Dakon, Lefter Kokën, Alqi Bllakon etj.
Sjellja është tërësisht e ndryshme, madje e pakrahasueshme. Për fat të mirë me të tjerët janë sjellë normal, madje dhe liberal në shumë praktika, kurse në rastin e Veliajt ka një diskriminim të qartë, gati në formë linçimi, që fillon me rrethin e tij familjar dhe përfundon me mënyrën se si sillen me të në burg, sikur kanë kapur kreun e ISIS.
Përpara skandalit të fundit të Ulsi Manjës, që i çoi 30 forca speciale për ta shoqëruar në 250 metra rrugë përballë burgut ku ishte klinika, dëgjova dhe lexova lajme që në fillim mu dukën përpjekje për t’u tallur. Në një prej tyre thuhej se Veliaj nuk është i sëmurë por do shkojë në spital se do të takojë Mero Bazen. Këtë e boton portali i një fundërine që mburret gjithe diten që pi kafe me Dumanin dhe Olsi Dadon si dhe një TV që është sekuestruar ngaqë pronari është trafikant droge, por qeveria dhe Ulsi Manja nuk guxon të shkojë t’i marrë çelësat dhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Ky pra, që i dërgon 30 policë një ish-kolegut të tij në burg për ta terrorizuar, Ylli Ndroqit nuk guxon t’i çojë një përmbarues t’i marrë çelësat e pronave që i ka sekuestruar shteti, për të mos thënë që bën pazare me të.
Pas aksionit, disa miq të mi më thanë se jo vetëm Ulsiu, por dhe Olsi Dado, ishte bërë gati të më “arrestonte” po të më gjente në spital.Pastaj më thanë se vet Ulsiu ja ka raprtuar këtë kryeministrit dhe disa ministrave se “ishte e detyruar të çonte forcat speciale” se ai do takonte Mero Baze. Vetëm unë nuk e dija që Veliaj do shkonte në spital dhe që unë do shkoja ta takoja.
Kjo çmenduri e ushqyer nga mashtrues ordinerë, që për fat të keq janë dhe ministra, vjen e gjitha nga fakti që janë vegla të një mekanizmi përsekutimi politik ndaj një njeriu të pafajshëm, tashmë që është në burg dhe shpikin arsye pse kanë mobilizuar forca policore. Unë as kam bërë ndonjë kërkesë të takoj Erion Veliajn dhe as më duhet ta takoj, se nuk kam ndonjë hall për të sqaruar me të. Shokët dhe miqtë e tij në qeveri, po i ka marrë malli, le t’i marrin leje Ulsiut. Por shpifje të tilla për të justifikuar linçimin ndaj tij, janë të neveritshme dhe burojnë nga ligësia e epsheve të pushtetit ndaj një njeriu që tani është në burg.
E njëjta gjë dhe me Ilir Metën. Nëse e krahasojmë atë me të ngjashmin e tij Sali Berisha apo dhëndrrin e tij, skena është krejt e ndryshme. Berisha ka një akuzë më të rëndë se Ilir Meta, por është i lirë bashkë me dhëndrrin e tij qysh pas muajit të parë të marrjes nën hetime, pa qenë i pandehur, dhe shumë mirë që është bërë kështu. Kurse Ilir Meta mbahet mbi një vit në burg. Arsyetimi “politik” i njerëzve të SPAK të krijon idenë se ata janë duke i çuar mesazh Berishës që: “Ty dhe djalin nuk po ju biem më qafë nga opozita, por për ju po çojmë ‘bedel’ Ilir Metën”. Kështu, ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryeparlamentari mbahet në paraburgim, jo për ndonjë akuzë për tradhti kombëtare apo rrezik për sigurinë kombëtare, çka mund ta justifikonte, por mbahet në paraburgim se ish-gruaja e tij ka përdorur një kartë krediti të një kushëriri që besohet se ka bërë korrupsion në emër të tyre.
Pra logjika politike e këtyre ndëshkimeve është që: nga pushteti po bëjmë “bedel” Veliajn, nga opozita po bëjmë “bedel” Metën dhe kështu quhen të balancuara politikisht.
Për këtë arsye, një hetim i qartë i Avokatit të Popullit duhet jo vetëm të bëjë publike pretendimet e tyre të verifikuara, por t’i krahasojë dënimet dhe linçimet e tyre edhe me politikanë të tjerë të së njëjtës krah politik, për të kuptuar se ata po linçohen politikisht. Dhe linçimi politik në demokraci është shumë herë më i rëndë se shkelja me këmbë e të drejtave të qytetarëve të thjeshtë për arsye korruptive apo papërgjegjësie institucionale. Të rënda janë dhe ato, por ato janë sëmundje të sistemit tonë. Rikthimi i linçimeve politike është një dramë që kemi mbyllur me grupet armiqësore të Enver Hoxhës, që nga Tuk Jakova deri tek Kadri Hazbiu. Ramiz Alia, për hir të së vërtetës, nuk e ka bërë këtë. Rikthimi i linçimit selektiv politik në vitin 2025 tregon shumë për atë se çfarë drejtësie po bëjmë.