Ish-kryeministri i 21 janarit Sali Berisha, i cilësoi “krim shtetëror pa dashje” vrasjet 14 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë godinës së Kryeministrisë, ku u qëlluan dhe u vranë 4 protestues. Berisha është i shpallur “non-grata” bashkë me familjen në 19 maj 2021 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë. Të tre këto përcaktime reflektohen edhe në krimin e pandëshkuar të 21 Janarit.
Sali Berisha pranoi vrasjet në bulevard për të mbrojtur korrupsionin e aleatit të tij Ilir Metës, shantazhoi dhe kërcënoi drejtësinë për të shpëtuar zbatuesit urdhrave për vrasje, kërcënoi kryeprokuroren Ina Rama, kërcënoi se do të vriste me snajper kryetarin e opozitës Edi Rama dhe 300 të tjerë nëse do të duhej, nuk njohu autoritetin e prokurorisë për të hetuar dhe arrestuar vrasësit, zhduku sa mundi provat e krimit që nga pamjet filmike në serverin e Kryeministrisë deri tek ndërrimi i tytave të armëve, u manipuluan regjistrat e armëve dhe u zhdukën urdhra, tentoi të blinte familjarët e viktimave, tentoi t’i faturonte vrasjet opozitës, mbajti vrasësit në Kryeministri, sajoi puçin imagjinar etj. Ishte Berisha që zbuloi se kishte qenë personalisht Berisha ai që i kishte komunikuar një të huaji, ndërmjetës me opozitën se “nëse Edi Rama do të afrohej të nesërmen e 21 janarit pranë kryeministrisë dhe nëse vetëm një gjethe do të prekej, 5 snajpera do ta qëllonin”.
Ai zbuloi emrin e diplomatit amerikan që po bëhej ndërmjetës mes Berishës dhe opozitës së Edi Ramës me 21 janar 2011. “Ishte Thomas Countryman me të cilin i përcolla mesazhin Ramës. A e keni dëgjuar bashkëshorten e tij të thotë poshtë e lart se shërbimet sekrete i kishin thënë se Rama do të vritej, unë isha. I thashë diplomatit të huaj se po të lëvizte edhe një gjethe në territorin e kryeministrisë ai (Rama) do ta kishte në lule të ballit nga 5 snajperë”, pohoi Sali Berisha. Countryman takoi Blushin dhe Islamin në atë kohë për të qetësuar gjakrat. Ai i dha mesazh të qartë Ramës se nëse do të vazhdonte protestat nuk do ta lejonin që të vinte kurrë në pushtet me dhunë.
Kontaktet dhe ndërhyrjet diplomatike pas 21 janarit
26 janar 2011 – Miroslav Lajčák (BE)
I dërguar nga Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Catherine Ashton, Lajčák vizitoi Tiranën dhe kërkoi anulimin e protestave, respektimin e institucioneve dhe përgjegjësi të përbashkët për shmangien e dhunës. U takua me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Rama. Ai paralajmëroi se e ardhmja europiane e Shqipërisë varej nga ulja e tensioneve.
27 janar 2011 – Alexander Arvizu (SHBA)
Ambasadori Arvizu zhvilloi bisedë telefonike me Berishën dhe e vlerësoi vendimin e tij për të anuluar protestën kundërshtuese si “akt burrëror”. Ai i kërkoi Ramës të tërhiqej nga marshimi i 28 janarit dhe zhvilloi takime me të dyja palët për të ndalur mobilizimin e rrugës.
Janar 2011 – Mbështetja nga Philip Gordon dhe Tom Countryman (SHBA)
Përpjekjet e Arvizut u mbështetën nga telefonata e nënsekretarit amerikan për çështjet evropiane Philip Gordon dhe deklaratat publike të zëvendëssekretarit për Evropën Tom Countryman, i cili paralajmëroi se “nuk ka fitues” në këtë situatë dhe se përpjekjet për ta kthyer humbjen në fitore mund të nxisin më shumë dhunë.
25 shkurt 2011 – Vizita e James B. Steinberg dhe Tom Countryman (SHBA)
Zëvendëssekretari amerikan James B. Steinberg, së bashku me Tom Countryman, vizituan Tiranën për të nxitur dialogun politik dhe për të mbështetur rolin e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama në hetimin e 21 janarit.
Mbështetja teknike e SHBA për hetimin
Ekspertiza e videos “Meta–Prifti” – Prokuroria kërkoi ndihmën e ambasadës amerikane për verifikimin e autenticitetit të videos që implikonte Ilir Metën. Ekspertizat balistike të FBI-së – Raporti i FBI-së, në bashkëpunim me prokurorinë dhe ambasadën amerikane, provoi se arma e komandantit të Gardës Ndrea Prendi kishte qëlluar 11 herë mbi turmë, një prej plumbave duke vrarë Faik Myrtajn. Konferenca e janarit 2012 – Ina Rama, në prani të Arvizut, Sequi (BE) dhe Wollfarth (OSBE), kërkoi një hetim të pavarur dhe të plotë. Raporti konfidencial për ambasadën amerikane (2021) – Dokumentonte frikën e ekspertëve balistikë për të firmosur manipulimin e tytës së pistoletës së Prendit dhe kërkesën e tyre për ekspertizë të huaj, të cilën ambasada amerikane e përcolli te FBI.
Dëshmitë kontradiktore të Berishës për 21 Janarin që e implikojnë në vrasje
21 Janar 2011
“Të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës. Duke theksuar këtë, i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura”.
Natën e 21 Janarit 2011
“Opozita organizoi një skenar puçist, e paralajmëroi atë, organizoi skenarin tunizian. Përgjigje opozitës i dhanë familjarët e njërit prej viktimave, i nxorën jashtë ata: “Dil jashtë kriminel, na vrave vëllanë”. Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit janë se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta”.
Natën e 21 Janarit 2011
“Mund t’ju bëj një pyetje: Ju që ishit në të katër anët e kësaj situate me kamerat tuaja, pse nuk arritët të filmonit njërin prej tyre. Si nuk arritët ju të filmoni qoftë dhe njërin prej tyre? Çfarë ndodhi me kamerat tuaja? Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se më ka marrë plumbi, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por fatmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se më shtynë.”
22 Janar 2011
“Unë shoh një media që po me një tjetër çakall të Sigurimit bën po atë që bëri çakalli i Ramës me videon tjetër dhe përpiqet të bëjë dhe gjykatësin, dhe prokurorin dhe të gjitha. Kjo është zgjedhja e tij”.
23 Janar 2011
“Tentove më (Ramës) të rrethosh Kryeministrisë do gjesh vetëm atë që meriton banditi. Ky është qëllimi im para çdo shqiptari, morali im nuk pranon kurrë që unë të hedh gurin dhe te fsheh dorën, nuk kam kurrë një trashëgimi të tillë, nuk do të mund të tentojë më kurrë. Puçisti do të trajtohet si puçist dhe do të marrë përgjigjen e merituar”.
23 Janar 2011
“I kam kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë videon e Kryeministrisë. Kryeministria ka një sistem videosh te vetin, përveç asaj që ka Garda, përveç asaj që vendos policia. Kamerat tuaja ishin të plota. Në këtë kontekst, me bindjen time kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat, si u vra dhe ku u vranë, pra të gjitha rrethanat”.
24 Janar 2011
“Zonja që liron njeriun që u vërsul me pistoletë drejt gardistëve, të cilët e mbrojnë, duhet të ketë të qartë se ka hyrë në ujëra shumë të gabuara. Ndonëse puçistët vazhdojnë skenarin e tyre, ne do të vazhdojmë detyrat tona si qeveri”.
24 Janar 2011
“Në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300. Grushti i shtetit nuk mund të kalojë. Kjo është absolute. Forca e institucioneve të një shteti demokratik është e hekurt. Mjerë ata që e provojnë!…”
25 Janar 2011
“Urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme për gjashtë drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, nuk do të zbatohen në mënyrë absolute, në bazë të Kodit të Procedurës Penale”.
25 Janar 2011
“Një gjë është e sigurt, në atë oborr ai që shkel apo guxon të shkelë, në rast se nuk largohet me të shtëna paralajmëruese nuk do të mund të largohet kurrë me këmbët e tij më. Ky është rregulli i çdo vendi demokratik. Shko ti shtyja portën një institucioni të huaj dhe do shohësh cili është reagimi, cila është përgjigjja që merr”.
2 Shkurt 2011
“Dua të theksoj edhe njëherë atë që theksoi Komisioni parlamentar, që një hetim parlamentar për tre-katër gazetarë nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë e tyre dhe unë ju garantoj për këtë, por ka lidhje me implikimet direkte, në urdhra direkte, të dhunës dhe puçit”.
7 Shkurt 2011
“Mirë njëri që ishte nga rikosheti, siç e botojnë vetë në media, po të tjerët. Jemi të interesuar për një hetim të plotë e të gjithanshëm të rrethanave në të cilën humbën jetën katër qytetarët. Kush ishte dora e zezë?”.
9 Shkurt 2011
“Pasi unë kisha ftuar ndrikullën e puçit të vazhdojë hetimin, tre orë mbrapa, kjo marrëveshje u shkel me urdhër që mori zonja Rama. Natyrisht, e bëri këtë me urdhër”.
19 Janar 2012
“Ka mundësi të kenë qenë plumbat rikoshet të Gardës Kombëtare, e cila ka përdorur armë në kushte të ligjshme mjaft strikte”.
21 Janar 2012
“Pati 4 viktima, dhe asnjë prej tyre nuk u shkaktua nga policia. Jo! Kjo është një provë e pastër si kristal. Ka mundësi të kenë qenë plumbat rikoshet të Gardës Kombëtare, e cila ka përdorur armë në kushte të ligjshme mjaft strikte”.
21 Janar 2012
“Sa për dijeni, truprojat e mia janë vartës së Komandantit të Gardës. Duhet ta dinë qytetarët se Komandanti i Gardës i ka në varësi të gjithanshme truprojat e mia. Komandanti i Gardës është Gjeneral, kështu që nuk merr urdhra nga asnjë person i vetëm, nuk mund të marrë urdhër nga asnjë person për të përdorur armën e zjarrit jashtë kushteve ligjore”.
9 Shkurt 2013
“Përgatiti një fjalim dhe mori një megafon me vete, u instalua në kullat për karshi, duke besuar se do mund të përshëndeste kryengritësit e tij. Pati 4 viktima. ishte përpjekje për të përmbysur një qeveri të zgjedhur me zgjedhjet të lira. Por, dështoi”.
21 Janar 2016
“Persona të pajisur me mjete dhune sulmuan barbarisht për orë të tëra ndërtesën e Kryeministrisë. Pra në këtë puç, u vranë 4 qytetarë. Zhvillimet e mëvonshme treguan se Edi Rama luajti me zjarrin me qëllimin që të merrte pushtetin”.
12 Dhjetor 2016
“Qëndrimi i tij më 21 Janar ka shënuar një pikë kthese në qëndrimin e jetës time sepse nuk e kisha konceptuar kurrë si armik. Unë deri atë ditë nuk e kisha konceptuar kurrë si armik. Por, të nesërmen, në qoftë se ai nuk do të përmbahej, ai nuk do të ishte më. Kjo ishte. Dhe ky do ishte vendimi më i dëshpëruar i jetës time”.
10 dhjetor 2020
“Nëse Edi Rama do të afrohej të nesërmen e 21 janarit pranë kryeministrisë dhe nëse vetëm një gjethe do të prekej, 5 snajperë do ta qëllonin. Ishte Thomas Countryman me të cilin i përcolla mesazhin Ramës. A e keni dëgjuar bashkëshorten e tij të thotë poshtë e lart se shërbimet sekrete i kishin thënë se Rama do të vritej, unë isha. I thashë diplomatit të huaj se po të lëvizte edhe një gjethe në territorin e kryeministrisë ai (Rama) do ta kishte në lule të ballit nga 5 snajperë”.