Lidhjet’ e pronarit të “NOA”-s, Gentian Sula me drejtuesit e “EFT”-së në Shqipëri, çojnë te oligarku serb i energjetikës, Vuk Hamoviç.
260 milionë euro kaluan në llogari të kompanisë “Noa Energy Trade”, në emër të importit të energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024
Në vitin 2024, rreth 90% e energjisë nga importi erdhi përmes “Noa Energy Trade”, një kompani nga Shqipëria që hyri furishëm në tregun e Kosovës që në vitin e parë të licencimit në vitin 2022. ZRrE e KESCO heshtin rreth procedurave që u ndjekën për angazhimin e kësaj kompanie.
Prej 68.9 milionë euro sa ishte vlera e importeve nga KESCO në vitin 2024, mbi 62 milionë euro i takojnë importeve vetëm përmes kompanisë “Noa Energy Trade”. Për një vit, nga kjo kompani janë importuar energji elektrike gjithsej 345 mijë e 566 megavatë orë.
Të dhënat zyrtare që ka siguruar Buletini Ekonomik tregojnë se kjo kompani, me bazë në Tiranë, ishte e pakonkurrencë me ‘rivalët’ që kanë po ashtu licencë nga ZRrE për tregtim me energji elektrike.
Përveç “Noa Energy Trade”, në listën e importuesve janë edhe pesë kompani të tjera, ku prin kompania “GEN” me vlerë të importeve 6.2 milionë euro, e pasuar nga “Danske Commodities” me 566 mijë e 407 euro vlerë importi. Ndërsa, kompanitë “Future” dhe “MCM”, së bashku importuan energji në vlerë mbi 50 mijë euro.
Kompania “NOA”, që zëvendësoi monopolin e
‘Monopoli’ i NOA-s trashi çmimin e importit
“Noa Energy Trade” është licencuar nga ZRrE më datë 02.12.2021, vetëm pak muaj pasi ishte regjistruar si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Gjatë vitit 2024, Kosova u përball me çmime enorme sa i përket importit të energjisë elektrike. Sipas vlerësimeve të ZRrE-së, Kosova në vitin 2024 importoi energji me një çmim mesatar prej 181.34€/MWh, dyfish më shumë se parashikimi prej 97.79 €/MWh. Sipas ZRrE-së, kjo është një nga arsyet kryesore për miratimin e tarifave të reja, për 16.1% më të larta për këtë vit.
Në këtë mesatare ndikuan sidomos kostot për transport të energjisë përmes rrugëve tregtare. Si kurrë më parë, pati rritje të kostove për transport të energjisë për 907% në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023. Nga rreth 1 milion euro, vetëm për transport të energjisë shkuan rreth 10 milionë euro.
Kjo “anomali” e rrallë në historikun e blerjeve të energjisë elektrike nga KESCO, ku transporti i energjisë në raste rezulton shumëfish më i shtrenjtë se vetë blerja e energjisë, është konstatuar edhe në dokumentet publike që iu kanë dorëzuar Rregullatorit të Energjisë.
Sipas KESCO-s, rritja erdhi pasi kapacitetet ndërkufitare të transmisionit ishin të kufizuara gjatë vitit të kaluar, duke iu referuar bllokadës së linjave nga Serbia dhe një kufizimi të dukshëm nga Shqipëria, pas funksionalizimit të bursës mes Kosovës dhe Shqipërisë, ALPEX.
Sipas të dhënave të ZRrE-së, KESCO bleu energji nga ALPEX më 2024 vetëm 359 MWh, në vlerë prej 47 mijë e 993 euro.
Por, ekspertët e energjisë me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik japin edhe një version tjetër. Ata thonë se këto situata i shfrytëzojnë mirë tregtarët e energjisë, sidomos në rastin e Kosovës, ku 90% e importit është i varur nga një kompani e vetme.
Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, i sheh dy probleme kryesore tek importi i energjisë elektrike gjatë vitit 2024.
“Është shqetësues fakti që vetëm një kompani, ose 90% e importit, e tregtisë, realizohet vetëm përmes një kompanie. Tregu i lirë ose tregu i liberalizuar bëhet me qëllim që më shumë kompani të hyjnë në treg, të konkurrojnë dhe të ofrojnë çmime më të ulëta, sepse nëpërmjet konkurrencës ofrohen çmime më të ulëta”.
Edhe nëse ekziston me të vërtetë vetëm një kompani e cila e ofron këtë punë, Haxhimusa shton se ajo ka një lloj fuqie monopoli, të cilën “ajo mund ta keqpërdorë”.
“Hulumtimet empirike tregojnë që kompanitë që janë vetëm në treg, ato e keqpërdorin pozitën e monopolit dhe ofrojnë çmime më të larta. Prandaj edhe nëse ti ofron ankand dhe vetëm një kompani konkurron aty, ajo çdo herë e vendos çmimin më të lartin me të cilin e maksimizon fitimin”.
Problemi tjetër këtu sipas Haxhimusës, është fakti se pse KESCO nuk ka blerë energji elektrike direkt në bursë, por këtë e ka bërë me “ndërmjetësim” nga një kompani e tretë.