Nga Gideon Rachman, Financial Times
Kujtimet nga vizita e fundit fatkeqe e Volodymyr Zelensky-it në Zyrën Ovale do ta përndjekin presidentin ukrainas gjatë takimit të tij të së hënës në Shtëpinë e Bardhë.
Përplasja e transmetuar në televizion mes Zelensky-it dhe Donald Trump në muajin shkurt ishte një pikë e ulët për Shtetet e Bashkuara dhe aleancën perëndimore.
Ishte gjithashtu një moment shumë i rrezikshëm për çështjen ukrainase.
Një tjetër moment i rrezikshëm është në prag. Trump duket se u magjeps nga Vladimir Putini gjatë samitit SHBA-Rusi në Anchorage.
Ai tani mund të përpiqet të shtyjë një plan paqeje të frymëzuar nga Rusia, i cili do të ishte plotësisht i papranueshëm për Ukrainën.
Në vend që të ngrijë vijat aktuale të frontit, presidenti rus raportohet se po kërkon që Ukraina të tërhiqet plotësisht nga rajonet e Donetsk-ut dhe Luhansk-ut – përfshirë qytete strategjike që aktualisht janë ende nën kontrollin ukrainas.
Kërkesat ruse duket se përfshijnë edhe kufizime të rënda për forcat e armatosura ukrainase dhe për sovranitetin e vendit.
Sfida e Zelensky-it është ta largojë Trump-in nga rruga që i ka shtruar Putini – pa shkaktuar një tjetër përplasje publike që mund të ketë pasoja të rrezikshme për vendin e tij.
Sepse mbetet fakt që aftësia e Ukrainës për të vazhduar luftën ende varet, në një masë të konsiderueshme, nga gatishmëria e Amerikës për të ofruar mbështetje ushtarake dhe inteligjencë.
Të zhbësh dëmin e shkaktuar në Anchorage nuk do të jetë një detyrë e lehtë. Por Zelensky ka nxjerrë mësime nga përvoja e hidhur e kaluar. Dhe kësaj here, ai nuk do të hyjë në strofkën e luanit i vetëm.
Plani aktual është që udhëheqësi ukrainas të shoqërohet nga disa nga figurat kryesore evropiane – përfshirë Sir Keir Starmer-in nga Britania, Emmanuel Macron nga Franca, Friedrich Merz nga Gjermania dhe Ursula von der Leyen nga Komisioni Evropian.
Me ta do të jenë edhe tre prej të ashtuquajturve “përshpëritës të Trumpit” në Evropë – Giorgia Meloni nga Italia, Alexander Stubb nga Finlanda dhe Mark Rutte nga NATO.
Evropianët do të bëjnë gjithçka që munden për ta drejtuar takimin në një terren më të sigurt.
Ky do të jetë një operacion tejet i ndjeshëm. Detyra është që ta bindin presidentin amerikan se Putini e ka çuar në rrugë të gabuar – pa lënë asnjëherë të kuptohet se Trump është ndonjë gjë tjetër përveçse një “gjeni shumë i qëndrueshëm” (siç e quan veten).
Për fat të mirë për evropianët, Trump ka një prirje të fortë për të reflektuar pikëpamjet e personit të fundit me të cilin ka folur.
Në Alaskë, ai foli me Putinin. Por tani është radha e Zelensky-it dhe aleatëve të tij.
Pak herë që Trump ka folur me ton të ashpër për Rusinë, kanë ardhur pas takimeve me ndonjë lider evropian.
Pas një takimi me Starmer-in në Skoci në korrik, Trump shkurtoi afatin për Putinin për të rënë dakord për një armëpushim dhe kërcënoi me sanksione vendet që tregtonin me Rusinë.
Mark Rutte njihet për mënyrën e tij të relaksuar dhe plot humor në takimet me presidentin amerikan – një qasje që është kritikuar nga disa.
Por buzëqeshja e gjerë e Rutte fsheh një mospajtim të thellë me disa prej këshilltarëve më të afërt të Trump-it.
Steve Witkoff, i cili ka shërbyer si një lloj të dërguari jozyrtar i Trump-it në Kremlin, tha në mars se ishte “qesharake” të mendoje se Rusia ishte e gatshme të sulmonte Evropën apo vendet e NATO-s.
Rutte, në të kundërt, ka paralajmëruar se “Rusia mund të jetë gati të përdorë forcën ushtarake kundër NATO-s brenda pesë vitesh”.
Deklarata të tilla nënvizojnë se evropianët po shoqërojnë Zelensky-in për arsye që shkojnë përtej thjesht solidaritetit.
Ata besojnë se siguria e të gjithë kontinentit është në rrezik në Ukrainë.
Çështja më e afërt, megjithatë, është si të përfundojë lufta në Ukrainë.
Retorika e fundit e Trump-it për “shkëmbime territoresh” ka ngritur alarm në Evropë.
Por ai ka bërë gjithashtu aludime të paqarta për garanci të sigurisë amerikane për Ukrainën – deklarata që janë përqafuar menjëherë nga Kievi dhe Brukseli.
Nëse fillojnë negociata të mirëfillta – në Shtëpinë e Bardhë ose në ditët pas takimit – ato ka gjasë të fokusohen në një kompromis të mundshëm mes territorit dhe garancive të sigurisë.
Në kushtet aktuale, është pothuajse e pamundur për Zelensky-in të pranojë humbjen e ndonjë territori.
Një gjë e tillë do të rrezikonte sigurinë afatgjatë të Ukrainës dhe mbijetesën e tij politike.
Por nëse Ukrainës i ofrohen garanci të forta dhe të besueshme për sigurinë, atëherë mund të bëhet më e lehtë për të marrë në konsideratë ndonjë lëshim territorial.
Tani është e pranuar gjerësisht se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është jashtë loje.
Më herët këtë vit, u diskutua një ide alternative: vendosja e një “forcë sigurie evropiane” në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.
Trupat britanike do të përbënin një pjesë të rëndësishme të një force të tillë.
Por Starmer ka deklaruar se çdo forcë evropiane do të kishte nevojë për një “garanci” amerikane si mbështetje.
Administrata Trump ka qenë shumë e kujdesshme për të mos dhënë asnjë garanci që mund t’i fusë SHBA-të në një luftë.
Por nëse Trump tani është i gatshëm të rihapë diskutimin për garancitë amerikane të sigurisë për Ukrainën, atëherë edhe pjesë të tjera të një marrëveshjeje të mundshme paqeje – përfshirë territorin – mund të hyjnë në lojë.
Siç e tha një evropian i përfshirë nga afër në këto bisedime: “ka shumë pjesë që lëvizin”.
Këto pjesë jo vetëm që lëvizin – por janë edhe tmerrësisht të ndërlikuara.
A do të përfshijë një garanci sigurie nga Evropa detyrimin për të luftuar nëse Rusia sulmon sërish Ukrainën? Dhe çfarë roli do të kishte Amerika atëherë?
Kur Trump e qortoi Zelensky-in në takimin e tyre të fundit në Zyrën Ovale, ai tha se ky do të ishte “televizion i shkëlqyer”. Tani është koha për diplomaci të shkëlqyer.