Këngëtari i njohur grek, Giorgos Mazonakis, prej katër ditësh ndodhet i shtruar në spitalin psikiatrik “Dromokaiteio”, pas një urdhri të prokurorit, ndërsa mediat greke raportojnë se pas këtij vendimi fshihen marifete të motrës dhe babait të tij. Motra e artistit ka qenë dikur menaxhere e karrierës së tij, por mes tyre ka pasur përplasje të forta për të ardhurat dhe pasurinë, çka sipas burimeve ka çuar në këtë situatë dramatike.
Avokati i këngëtarit ka deklaruar se Mazonakis është i trishtuar për mënyrën e tmerrshme të shtrimit në klinikë nga familjarët, por është plotësisht i shëndetshëm dhe nuk ka asnjë problem mendor. Ai shtoi se prej më shumë se dy vitesh këngëtari nuk ka asnjë kontakt me familjen dhe ndodhen në proces gjyqësor për çështje pronësie, ndërsa shtrimi i papritur është bërë në një ditë festive kur institucionet ishin pushim, gjë që e bën edhe më të dyshimtë veprimin.
Pas heshtjes fillestare, Mazonakis ka reaguar publikisht duke hedhur poshtë çdo pretendim për probleme shëndetësore dhe ka akuzuar hapur familjen për një “metodë të neveritshme”. “Unë nuk vuaj nga ndonjë sëmundje mendore që kërkon kujdes psikiatrik dhe që mund të më bëjë të rrezikshëm për veten ose për të tjerët. Mbyllja ime e përkohshme këtu në Dromokaiteio u bë pa dijeninë time. Pas kësaj prove fshihet një metodë e neveritshme.
Falënderoj fansat, miqtë dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen e palëkundur. Premtoj se shumë shpejt do të jem pranë jush”, – tha këngëtari.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra nga publiku dhe figura të njohura të showbiz-it grek, të cilët e quajnë të papranueshme mënyrën se si është trajtuar një prej ikonave të muzikës greke, ndërsa shumë prej tyre kërkojnë lirimin e menjëhershëm të artistit.
Avokati i tij është i bindur se ditën e hënë Mazonakis do të kthehet në shtëpi, por beteja gjyqësore mes tij dhe familjes pritet të vazhdojë, duke e kthyer këtë histori në një dramë të vërtetë që ka tronditur të gjithë Greqinë.