A je bezdisur ndonjëherë nga telefonatat e kompanive të dyshekëve që të kontaktojnë në momente të papërshtatshëm, se je i përzgjedhuri, fatlumi, fituesi i ofertës së jashtëzakonshme apo gjithë çfarë mashtrimi, për t’iu shitur produkte që as nuk i keni parë ndonjëherë, që nuk e dini nga se janë përbërë dhe vlerën reale të tyre? Besoj se po!
Rasti për të cilin do të flasim sot, ka të bëj me kompaninë “Dream Mattress”, e cila përmes reklamave të saj në rrjete sociale, me qëllim joshjen e klientëve, mashtron pa iu skuqur faqja për dyshekët e saj të cilët i prezanton si ofertë, por në të vërtetë, jo vetëm që i blen në vlerën reale, por nuk përfiton as një qindarkë ulje nga oferta e tyre.
Ja çfarë thotë reklama
Kur lexon ofertën “Bli dyshekun dhe përfito krevatin falas”, në pamje të parë duket si një ofertë fantastike, e kush nuk do të donte të merrte një krevat pa pagesë? Por në realitet, kjo është një skemë mashtruese e paketuar bukur nga kompania “Dream Mattress”.
Në vend që të ofrojnë një vlerë reale për klientin, këto kompani e shesin dyshekun me çmimin e tij të plotë (ose në disa raste edhe më shtrenjtë se zakonisht), ndërsa “krevatin falas” e shesin me një ulje minimale – zakonisht rreth 30% zbritje nga një çmim i fryrë paraprakisht.
Pjesë e bisedës mes kompanisë dhe klientit ku i faturohet “dhurata”
Gjatë bisedës me përfaqësuesen e shitjeve të kompanisë “Dream Mattress”, klienti u interesua për ofertën e dyshekut me krevatin falas, sikurse thotë reklama. Gjatë bisedës me shitësen, kjo e fundit thotë se oferta bli dyshekun dhe merr krevatin falas klienti mund ta përfitoj në shumën e 58 mijë lekëve.
Klienti i pakënaqur me pamjen e krevatit “falas” interesohet për çmimin real të dyshekut “Comfort”, i cili sipas shitëses kushton 42 mijë lekë. Kur e pyet për vlerën reale të krevatit, shitësja i përgjigjet se kushton 230 mijë lekë. Pra nëse oferta kushton 58 mijë lekë, minus dyshekun 42 mijë lekë, i bie që klienti ta blej krevatin në vlerën 16 mijë lekë, 30% më pak se vlera e tij reale, prej 23 mijë lekësh.
Më skandaloze është ulja për dyshekun e quajtur “Nanoclean”, ku ulja për krevatin kap vlerën e 3 mijë lekëve. Një tallje e vërtetë! Kompania edhe për këtë produkt ka reklamuar se nëse blen dyshekun, krevatin e përfiton falas.
Pra, jo vetëm që nuk merrni një krevat falas, por në fakt po paguani për të dyja – dyshekun dhe krevatin, ndoshta me një zbritje të vogël, por larg asaj që premton reklama. Kjo është një mënyrë e pastër për të mashtruar klientin, duke përdorur fjalë të mëdha për të fshehur realitetin.
PSE NUK VEPRON AUTORITETI I KONKURRENCËS PËR KOMPANITË MASHTRUESE TË DYSHEKËVE?!
Të tilla reklama në rrjet krijojnë pritshmëri të rreme, pasi kompanitë tentojnë që klienti i tyre të joshet me një “dhuratë” që në fakt i faturohet. Kurse konsumatorët ndihen të mashtruar pasi kuptojnë se nuk kanë përfituar asgjë të jashtëzakonshme.
Ndaj bëni kujdes nga kompanitë mashtruese si “Dream Mattress”. Mos u besoni reklamave pa e analizuar mirë ofertën. Kontrolloni çmimet reale të produkteve veç e veç para se të bini dakord për “paketën”.
Kërkoni qartësi nga shitësi dhe mos kini frikë të pyesni nëse krevati vërtet është falas apo thjesht i zbritur. Transparenca është detyrim ligjor dhe moral i çdo biznesi. Konsumatori nuk është për t’u tallur, por për t’u respektuar./Ekskluzive.al